Bota

Samiti i G7-ës në Japoni rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën/Kina ankesë për deklaratën finale!

Edhe në samitin e G7-ës në Hiroshima të Japonisë u rikonfirmua mbështetja e grupit për Ukrainën. Punimet u fokusuan në luftën ruse, si dhe në sigurinë ekonomike, investimet e gjelbra e situatën në rajonin e Indo-Paqësorit.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida vlerësoi se ishte “e rëndësishme” që liderët e G7-ës treguan solidaritet për të mbështetur ligjin dhe rendin ndërkombëtar, në takimin të cilit iu bashkua dhe presidenti ukrainas. Kishida foli në një konferencë për shtyp, në mbyllje të samitit tre-ditor në Hiroshima.

“Në ditën e fundit të samitit, presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky iu dha mundësia për të fituar vëmendjen e vendeve si Brazili dhe India”, shkruan agjencia Reuters.

Ndërkaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se programet e mundshme të aleatëve për trajnimin e pilotëve ukrainas për avionët luftarakë F-16 ishin një mesazh për Rusinë se nuk pritet sukses në pushtimin e Ukrainës, madje edhe nëse konflikti është afatgjatë.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sanksione kundër më shumë se 300 objektivave, që synojnë të ndëshkojnë Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë.

Britania e Madhe bëri të ditura planet për të ndaluar importet e diamanteve ruse, bakrit, aluminit e nikelit, si dhe njoftoi një valë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar kompanitë e lidhura me vjedhjen e dyshuar të grurit ukrainas. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov vlerësoi se vendimet e G7-ës kishin për qëllim “frenimin e dyfishtë” të Rusisë e Kinës.

Qëndrim i përbashkët ndaj Kinës

Liderët e G7-ës njoftuan një qëndrim të përbashkët ndaj Kinës, duke dashur të “ulin rrezikun” dhe “jo të ndajnë” angazhimin ekonomik me vendin që konsiderohet “fabrika e botës”.

Kancelari Scholz tha:

Vendet e G7-ës do të sigurojnë vazhdimin e investimeve të mëdha në Kinë, përderisa reduktojnë ekspozimin e rrezikut ndaj ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Kina kundërshtoi deklaratën e përbashkët të G7-ës në Hiroshima dhe u ankua te organizatorja e samitit, Japonia, siç njoftoi Ministria kineze e Punëve të Jashtme.