Aktualitet

Senatorët amerikanë Murphy dhe Peters takime në Tiranë/Begaj: Mbështetja e SHBA-ve, kyçe!

Senatorët amerikanë Chris Murphy, anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-ve dhe Gary Peters, anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit vizituan Tiranën, si pjesë e një turi në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata ishin në Kosovë, për të vijuar vizitat në Mal të Zi dhe Serbi. Senatori Murphy do të shkojë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Në një postim në Facebook, ambasada amerikane në Tiranë njofton se “senatorët u takuan me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe deputetë”. Po ashtu takuan përfaqësues të shoqërisë civile e medias, si dhe të evakuuar afganë në Shqipëri.

Presidenti Begaj shkroi në Twitter:

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të begatë.

Ndërsa ambasadorja amerikane, Yuri Kim u shpreh:

Si aleatë të NATO-s dhe anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bashkëpunimi ynë për çështjet rajonale dhe globale, nga mbështetja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës, te refuzimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, te largimi i miqve afganë nga rreziku, te forcimi i mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike – është më i rëndësishëm se kurrë. SHBA-të, nuk kanë mik më të mirë në botë se Shqipëria.

Vizitat e dy senatorëve amerikanë në Ballkan kanë si qëllim diskutimet me udhëheqësit e vendeve të rajonit mbi atë si SHBA-të mund të promovojnë stabilitetin e bashkëpunimin në rajon. Sipas një njoftimi për shtyp të Senatit Amerikan mbi vizitën e tij dhe senatorit Peters në rajon, senatori Murphy deklaroi:

Ne kurrë nuk mund ta marrim paqen në Ballkan si të mirëqenë dhe vizita jonë vjen në një moment kyç për shumë nga këto vende. Ndërsa ka pasur përparim të mirë drejt normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës, si dhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në rrugën e pranimit në BE, ka ende një rrugë për të bërë. Senatori Peters dhe unë do të dërgojmë mesazhin e fortë se Shtetet e Bashkuara janë investuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe mbështesin rrugën e vendeve të Ballkanit drejt integrimit evropian.

Senatori Peters:

Jam krenar që përfaqësoj komunitetet e lulëzuara shqiptare dhe kosovare në Michigan dhe ky udhëtim është një mundësi e rëndësishme për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit Perëndimor dhe për të diskutuar qëllimet tona të përbashkëta strategjike. Ne vazhdojmë të mbështesim një paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të punojmë së bashku me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor për të thelluar lidhjet ekonomike, sociale dhe të mbrojtjes.