Sport

Shifër rekord për fanellën e Diego Armando Maradonës!

Fanella të cilën Diego Armando Maradona e kishte veshur kur shënoi golin e tij të famshëm, të quajtur “Dora e Zotit” (Hand of God) kundër Anglisë në Kupën e Botës në vitin 1986, u shit në një ankand në Sotheby’s në Londër për një çmim rekord botëror prej 9,28 milion dollarësh.
Rekordi i mëparshëm për një fanellë ishte 5,64 milion dollarë, e shitur në vitin 2019 dhe që e kishte veshur Babe Ruth gjatë sezoneve të tij të viteve 1928-1930 me New York Yankees. Rekordi për një pjesë të kujtimeve sportive u vendos në vitin 2019, kur një manifest origjinal olimpik i vizatuar me dorë u shit në Nju Jork për 8,8 milion dollarë.

Goli i famshëm “Dora e Zotit” u shënua nga Maradona, i cili në fakt e hodhi topin me dorë mbi portierin anglez Peter Shilton duke tundur rrjetën e këtij të fundit në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës të vitit 1986 kundër Anglisë, takim të cilin Argjentina e fitoi me rezultatin 2:1. Arbitri nuk e pa, kështu që goli u quajt i rregullt.

Pas ndeshjes që hyri në histori, Maradona tha se goli u shënua “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”. Si rezultat, Argjentina fitoi Botërorin e dytë dhe të fundit deri më sot. Maradona, i cili u shua nga një atak kardiak më 25 nëntor 2020, konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit në të gjitha kohërat.

Maradona, në atë kohë 25-vjeç, njëherazi ishte kapiteni i Kombëtares së Futbollit të Argjentinës kur ndihmoi vendin e tij të fitonte Kupën e Botës FIFA 1986. Ai luajti për Boca Juniors të Argjentinës, si dhe klubet spanjolle Barcelona e Sevilla e po ashtu për ekipin italian Napoli. Ylli argjentinas ishte një lojtar i dashur i Napolit pasi fitoi titujt e Serisë A të Italisë në vitet 1987 dhe 1990 si dhe Kupën UEFA të vitit 1989.