Bota Health & Beauty

Shifër alarmuese, OBSH zbulon se sa persona në botë jetojnë me tension të lartë të gjakut!

Rreth 1.3 miliard njerëz në botë jetojnë me tension të lartë të gjakut, sipas një studimi të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kolegjit Imperial në Londër. Hulumtimi ka ardhur në përfundim se 41% e grave dhe 51% e burrave me presion të lartë të gjakut nuk ishin në dijeni të gjendjes së tyre shëndetësore, pavarësisht faktit se sëmundja mund të trajtohet shumë lehtë me ilaçe që kanë kosto të ulët. Majid Ezzati, një nga autorët e studimit tha se:

Megjithëse përparimet që janë bërë gjatë dekadave të fundit në mjekësi dhe farmakologji, menaxhimi i hipertensionit ka qenë i ngadaltë dhe shumica dërrmuese e njerëzve me hipertension mbeten të patrajtuar.

Studimi gjithashtu tregon se vendet e pasura e kanë vënë nën kontroll këtë sëmundje, mirëpo situata më e keqe është në vendet me të ardhura të ulëta. Presioni i lartë i gjakut rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe sëmundjeve të veshkave. Kanadaja dhe Peruja kishin përqindjen më të ulët të njerëzve me presion të lartë të gjakut në vitin 2019, me rreth një në katër njerëz që jetonin me këtë gjendje, tregoi studimi.

Tajvani, Koreja e Jugut, Japonia, Zvicra, Spanja dhe Britania e Madhe kishin nivelet më të ulëta të hipertensionit te gratë më pak se 24% ndërsa Eritrea, Bangladeshi, Etiopia dhe Ishujt Solomon kishin normat më të ulëta te meshkujt më pak se 25%. Në anën tjetër më shumë se gjysma e grave në Paraguai dhe Tuvalu kishin hipertension dhe më shumë se gjysma e burrave në Argjentinë, Paraguai dhe Taxhikistan vuajnë nga sëmundja.

Autorët e hulumtimit thanë se rezultatet e tij tregojnë se ekziston një nevojë urgjente për të rritur shkallën e diagnostikimit dhe qasjen në trajtim. Tensioni i lartë shkaktohet nga faktorë gjenetik, por ekzistojnë edhe faktorë rreziku që lidhen me stilin e jetës, duke përfshirë ushqimet jo të shëndetshme, pasivitetin fizik, pirjen e duhanit dhe alkoolit, diabetin e pakontrolluar dhe mbipeshën.

Ndërkaq, rreth 1.3 miliardë njerëz në botë vuajnë nga hipertensioni, një “vrasës” i heshtur që shpesh nxitet nga obeziteti dhe shton rreziqet e sëmundjeve të zemrës dhe veshkave. Pohimi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që publikoi së fundmi një studim. Hipertensioni diagnostikohet lehtë duke monitoruar presionin e gjakut dhe trajtohet me ilaçe që kushtojnë lirë, por gjysma e të prekurve janë të pavetëdijshëm dhe mbesin pa kuruar.