Politikë

Shifrat e buxhetit, PD: Borxhi i fshehur 1 miliard euro, qeveria: Mbrohet biznesi i vogël

Kuvendi po debaton buxhetin për vitin 2023 për të cilin ka shumë debate jo vetëm mes pozitës dhe opozitës por kritika edhe nga deputetë të mazhorancës.

“Shtresa e mesme është kthyer në gomarin që mban peshën e taksave. Kjo është pamja më e saktë që ka Shqipëria sot, përtej politikës”, tha Tabaku.

Në ditën e parë të diskutimeve, Jorida Tabaku në emër të opozitës ka paraqitur vërejtjet e saj kryesore.

“Para se ta votoni këtë buxhet që nuk jep asnjë zgjidhje uluni dhe bëjini llogaritë me shqiptarët. Ky buxhet ka rritjen më të lartë të taksave në 30 vitet e fundit. Në këmbim nuk ka asnjë masë reale për ekonominë shqiptare. Për vitin tjetër borxhi do të shtrenjtohet më shumë se qeveria është zotuar se do të marrë një Eurobond të ri. Në çdo buxhet për vite me radhë PD ka kërkuar transparencën për borxhin e fshehur, i cili është rritur por gjurmët janë të dukshme. Ky borxh i fshehur ka arritur në 1 miliardë euro”, u shpreh Tabaku.

Kryeministri Rama nuk foli për borxhin e fshehur që deklaroi Tabaku, por për biznesin e vogël dhe rritjen e pagave.

“Zero taksa për biznesin e vogël deri në 2029, nuk do ju lejojmë të vini në vendin tonë. Biznesit të vogël nuk i shtohet as edhe njëlloj barre, biznesi i vogël është aleati më i madh i kësaj qeverie me zero taksa dhe me zero TVSH si asnjë vend tjetër i rajonit. Ashtu do të jenë deri në vitin 2029 dhe qoftë dhe vetëm për këtë premtim, ne do të vazhdojmë të ju mundim ju se nuk e lëmë në dorën tuaj”, tha Rama.

“Ne do tatojmë profesionistët e lirë që sot shmangin skemat e tatimit. Kemi të garantuar bonusin e pensionistëve në buxhet. Do të ndjekim edhe politika të tjera për mbrojtjen sociale, si garancia sovrane për çiftet që duan të blejnë shtëpinë e tyre të parë”, u shpreh Delina Ibrahimaj.

Por, për opozitën Buxheti i vitit të ardhshëm përmban vetëm rritje taksash dhe do t’i japë një goditje të mëtejshme shtresës së mesme, ndërsa nuk mbron më të varfrit

“Zonja Ministre në 45 minuta fjalë nuk thatë asnjë shifër që të ngelë. Na tregoni sot, se si po paguajmë borxhin e fshehur për projektin e Rindërtimit pasi nuk keni marrë asnjë fond nga donatorët. Na flisni për një projekt të vetëm që ju keni ndërmarrë në këtë buxhet”, tha Tabaku.