Aktualitet

Shqipëria nuk i ka shpëtuar “darës” së motit të keq!

Në vendin e quajtur Qafë-Murrizë në Dibër, ku në intervale të shkurtra kohore bien reshje dëbore, Policia Rrugore ka shtuar masat. Patrullat ndalojnë dhe këshillojnë drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë e të qarkullojnë me vëmendje të shtuar në Bypass.

Duke u nisur nga fakti që gjatë natës e në mëngjes herët, temperaturat ulen ndjeshëm e mund të krijohen shtresa akulli, Policia Rrugore apelon dhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që përdorin rrugën e Arbrit, të tregojnë kujdes në Bypass e të ndjekin udhëzimet e efektivëve. Ndërkohë, tre borëpastruese vijojnë punën duke e mbajtur të hapur aksin.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa, me origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura, si edhe me alternime të herëpashershme e afatshkurtra me diell, kryesisht në pjesën e parë të ditës.

Sa i përket pjesës së dytë të ditës, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, në formën e shtrëngatave. Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e jug-jugperëndimit priten reshje me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me breshër e shkarkesa elektrike.

Në relievet malore në lindje, në lartësitë mbi 300 metër parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët e mesatar. Po ashtu reshje bore me intensitet të ulët deri në lartësitë kodrinore mbi 400-500 metër. Po ashtu, reshje të dëborës me intensitet të ulët në veriperëndim zbresin deri në lartësitë 100-200 metër.

Era do të fryjë me drejtim  juglindje-jugperëndim me shpejtësi nga 3-10 m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina do të ketë erë tepër intensive e shpejtësi që arrin nga 15-20 m/sek deri në orët e mesditës. Më pas, intensiteti i erës bie. Valëzimi në dete fillimisht parashikohet i forcës 4-7 ballë e më tej 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen: 

Shkodër

2/10

Re shi /borë

Kukës

-1/7

Re borë

Lezhë

4/6

Re shi /borë

Dibër

-2/4

Re borë

Durrës

4/11

Re shi

Tiranë

5/11

Re shi

Elbasan

3/5

Re shi/borë

Berat

4/7

Re shi

Vlorë

5/10

Re shi/stuhi

Korçë

0/5

Re borë

Gjirokastër

2/16

Re shi stuhi/borë

Sarandë

5/9

Re shi/stuhi