Celebrities Live From Tirana Music

Si lindi “A ma thu” dhe çfarë të presim së shpejti nga Tiri, artisti na zbulon më shumë!

Tiri Gjoci është një prej artistëve më të njohur shqiptar, i cili është vlerësuar gjithmonë për vokalin e tij të veçantë. Tiri arriti kulmin e suksesit në edicionin e 5-të të “The Voice of Albania”, duke u shpallur dhe zëri më i mirë i shqiptarëve. Së fundmi ai ka publikuar projektin e tij më të ri të titulluar “A ma thu”, për të cilin ka folur më shumë në studion e “Live From Tirana”.

Si lindi projekti yt më i ri “A ma thu”?

“A ma thu” është një material të cilin e kam punuar me Neda Balluklun, ajo ka shkruar tekstin, që duhet thënë se e ka qarë. Ky është një material të cilin e kisha prej kohësh në sirtar dhe Nedës i lindi ideja që pse mos ta publikojmë. Dhe kështu lindi. Është një tekst intrigues, kemi dashur t’i ngacmojmë pak njerëzit me tekstin dhe klipin dhe mendoj se ia kemi dalë.

A i krijon vetë tekstet e këngëve të tua? Bazohen ato në eksperienca të tuat personale?

Fillimisht më lër të them që nuk keni dëgjuar gjë akoma. Ka ende shumë materiale që do t’i publikoj së shpejti. Shumicën e teksteve të mia i kam krijuar vetë. Është ai delli i momentit. Në rast se më pyet nëse bazohen në eksperienca personale këto tekste dhe do thoja ‘jo’, do të gënjeja. Për shembull nuk i thua dot ‘lamtumirë’ dikujt që nuk njeh.

Cilin nga dy projektet e tua të fundit, “Lamtumirë” apo “A ma thu” do ta shihje si më afër vetes?

Jam pak më afër “A ma thu”, është pak më agresive dhe teksti është më i ndjerë. Por nuk mund t’i ndash dot, është si të ndash fëmijët. Unë kam pasur fatin që punoj me një orkestrues si Enis Mulla, që është shumë profesionist. Por lidhet ngushtë dhe me tekstin e këngës. Sepse është teksti që i jep verdiktin orkestrimit.

A ke projekte të tjera me të cilat po punon dhe që do t’i publikosh së shpejti?

Kam shumë demo dhe gjithë njerëzit që i kanë dëgjuar më thonë pse nuk i lançoj. Por kjo gjë do dhe pak vrull, pak ritëm. Është për t’u parë. Por një bashkëpunim dhe një material solo janë për t’u publikuar në verë. Janë pak më komerciale duke qenë se jemi dhe në stinën e verës. Çfarë janë balada po i lë në vjeshtë ose dimër.

Si është marrëdhënia jote me projektet që cilësohen si të komercializuara?

Unë dhe me dy materialet e fundit nuk doja të komercializoja gjë, e kam marrë hap pas hapi. Nuk kam asgjë kundër komercializmit të bërë mirë. “Zemër” është nga këngët e mia më të dëgjuara dhe ajo ka disa elemente komercializmi, por brenda kornizës që Tiri mund të bëjë.

“A ma thu” ka hyrë këtë javë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira të javës në “The Top List”, Top Awards. Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit.