Health & Beauty Lifestyle

Studim i ri, rreziku i infarktit mund të parashikohet vite më parë!

Thonë që e ardhmja e një personi mund të shihet nga sytë e tij. Kjo thënie mund të marrë së shpejti konture reale dhe jo thjesht simbolike, pas një studimi të kryer nga kërkues të Universitetit të Edinburgut, që u prezantua në Konferencën e gjenetikes njerëzore në Vjenë.

Sipas studimit, rezultatet e se cilës ende duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të dytë, një vizitë okulistike mund të ndihmojë në përcaktimin e tendencës që një person ka për të shfaqur rrezikshmëri për infarkt. Sipas tyre, analiza e enëve të gjakut që ndodhen në retinë, e kombinuar me informacionet e tjera tradicionale mbi pacientin, ndihmojnë në një përcaktim më të saktë të kësaj rrezikshmërie.

Mosha mesatare e një personi që goditet nga infarkt është rreth 60-vjeç, ndërkohë që me metodologjinë e re prirja e një goditje infarkti mund të parashikohet deri në 5 vite më parë. Një kohë që mund të shfrytëzohet duke kaluar në një stil jetese më të shëndetshme, që të mundësojë minimizimin e rrezikut. Autorët e studimit mendojnë se studimi i syrit mund të ndihmojë edhe në parashikimin e prirjes për sëmundje të tjera. Komuniteti shkencor ka mirëpritur studimin por ka shtuar edhe këshillën për studime të mëtejshme në këtë prizëm.

Rikujtojmë, se një ekip nga ‘King’s College’ në Londër arriti të rigjenerojë qelizat e zemrës të dëmtuara nga një atak në zemër te kafshët, duke përdorur teknologji të ngjashme me atë të vaksinave anti-COVID të Moderna dhe Pfizer. Trajtimi, nëse rezulton efektiv edhe te njerëzit, do të jetë revolucionar. Shkencëtarët kanë identifikuar molekula të vogla të ARN-së (të quajtura mikroARN) të afta për të prodhuar proteina që stimulojnë rritjen e qelizave të reja të shëndetshme të zemrës. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën ‘Current Opinion in Genetics & Development’.