Në ceremoninë e çmimeve ‘Golden Globes‘ të pak javëve më parë ata, Harvey, Mike, Donna dhe Jessica u shfaqën pas shumë kohësh së bashku duke ngjallur nostalgji tek fansat e serialit që i bëri protagonistët e “Suits” të njiheshin më shumë më emrat e rolit që luanin sesa ato që kanë në pasaportë. Gabriel Macht, Patrick J. Adams, Sarah Rafferty dhe Gina Torres u ngjitën në skenë 5 vite mbas episodit të fundit të një serie televizive e cila kur u shfaq në fillim bëri pas vetes një publik besnik, gjithmonë në rritje, por që me hyrjen në Netflix u kthye në një klasik të televizionit të të gjitha kohërave.
Është e çuditshme ajo që ndodh me platformat e stream-ingut. Vitin e kaluar seriali që premierën e tij e pati më shumë se një dekadë më parë, ishte ai që u ndoq më shumë në Netflix, duke krijuar një audiencë krejt të re. Një audiencë që kërkon të shohë më shumë se 9 sezonet që janë transmetuar dhe ri-transmetuar shpesh që prej 2011. Mirëpo që do i duhet të presë gjatë. Në një prononcim të Gushtit të vitit të kaluar, krijuesi i këtij seriali – Aaron Korsh u përgjigj se drama e USA Network nuk ka asnjë shans që të vazhdojë, pavarësisht suksesit të episodeve në Netflix. Kjo histori argetuese avokatësh që kishte për protagonistë edhe Meghan Markle apo Rick Hoffman, vitin e kaluar u bë më e shikuara duke konkuruar denjësisht prodhimet më të reja të kollosit të prodhimeve televizive dhe filmike.
Mirëpo siç e do shprehja “Kurrë mos thuaj Kurrë” – sipas një lajmërimi të fillimit të muajit – Suits do të ketë një vazhdim.
(për ju që nuk e keni parë serialin mos lexoni artikullin më tej sepse përmban spoilers)
Në episodin e fundit pamë se si Harvey dhe Donna vendosën që të ndiqnin Mike dhe Rachel në Los Angeles duke braktisur New York-un dhe firmën për të cilën luftuan kaq shumë, kaq gjatë dhe kaq fortë. Në dasmën e Louis Litt (Rick Hoffman) me Sheila Sazs (Racheal Harris) i pamë për herë të fundit si dy kolegë dhe për herë të parë si një çift i martuar [më në fund]. Ndërkaq mbas largimit të Jessica Pearson (Gina Torres) në Chicago (Torres provoi të vazhdonte e vetme një spin-off të “Suits” – “Pearson” (2019) por pritja nga shikuesi ishte e vakët dhe seriali nuk u rinovua më pas sezonit të parë), cast-it ju bashkua edhe Katherine Heigl.
Sipas “Variety”, seriali i ri i frymëzuar nga “Suits” është tashmë në prodhim e sipër, mirëpo asnjë nga protagonistët e këtij të fundit nuk ka konfirmuar zyrtarisht përfshirjen. Edhe pse krijuesi vazhdon të jetë Korsh, për momentin nuk dimë të themi nëse Harvey dhe të të tijët do të jenë pjesë e kësaj aventure të re [pseudo]juridike. Mbase e vetmja gjë e sigurt që mund të themi është që Meghan Markle nuk do të jetë pjesë e show-ut që e braktisi për t’u martuar me Princin Harry – pjesa tjetër është histori…
Të gjithë, unë gjithashtu, vitin e shkuar ju rikthyem edhe një herë serialit që me aq ëndje e zbuluam për herë të parë kur u transmetua në fillim. Disa do e përcaktonin këtë si një brez në depresion, sepse nuk ka një arsye racionale ‘pse duhet të shohësh diçka që e ke parë’ xhanëm. Mirëpo ndodh ndonjëherë që ‘miqësitë’ që krijon në faqe librash apo në fotografi filmash e serialesh të ndjesh nevojën ti ri-takosh sepse bashkë me kohën rendim edhe ne, koha na ndryshon disi, jo vetëm së jashtmi. Personazhet e “Suits” me të gjithë sipërfaqësoritetin dhe pasaktësitë e individëve që përfaqësojnë janë prej atyre pak frymorëve të cilët të ngelen në mendje dhe në zemër; rikthimi tek ta të duket familjar – njësoj sikur takon një shok gjimnazhi krejt rastësisht.
@sinoedits Harvey is just too cold | scp:@craig.aep @wanderlcust | #harveyspecteredit #harveyspecter #suits #suitsedit #fyp #foryou #viral
Dialogjet e mprehta dhe moda-e-pa-bërtitur vazhdojnë të jenë po aq goditëse sa në fillim, pavarësisht ndrrimi të faqeve të dekadave. Tik-Tok-u bën të vetën për ta zhndërruar Harvey-n në një hero të ditëve lakmitare dhe arrogante që jetojmë – në epokën kur librat që shiten më shumë janë ato vet-ndihmues – dhe ngjarjet më të ‘mëdha‘ janë ato që janë organizuar nga individë motivues.
Lindur në epokën nihiliste televizive “Suits” hyri kështu në listën e fare pak serialeve kult televizivë të cilët u flasin brezave tërësisht të ndryshëm prej atyre për të cilët u realizuar duke u transportuar në makinën e kohës që quhet Netflix. Njësoj siç ndodhi me “Friends” apo “Sex And The City“. Së fundmi një skenë fantastike e një [tjetër] filmi të Netflix, “Leave the World behind” tregon pikërisht këtë me një lloj pafajsie të trishtë.
@suitspopular Harvey Spector “Could Do Better 😂” #suitstvseries #suitsedit #SuitsTVShow #suitsbestscenes
Ajo që uroj është që vazhdimi – nëse do të jetë i tille të mos jetë një trashëgimi e hidhur, krejt e panevojshme siç ndodhi me SATC. Sepse disa gjëra është mirë të lihen ashtu – të paprekura më – aq më tepër kur jo një, po dy palë audiencash kanë rënë brenda me narrativën e tij. Arrogante, por e drejtpërdrejtë, elegante por e parehatshme, njësoj si kostumet 7 mijë dollarëshe që protagonistët e “Suits” mbajnë veshur.