Bota

Sulmohet Salman Rushdie, shkrimtari i njohur mund të humbasë njërin sy!

Sulmohet me mjet prerës Salman Rushdie, shkrimtari rrezikon të humbasë njërin sy. Ngjarja ndodhi gjatë një konference që 75-vjeçari po mbante në Chautauqua të Nju Jorkut, në Shtetet e Bashkuara. Eshtë një 24-vjeçar nga Nju Xhersi, Hadi Matar, tashmë i ndaluar, agresori i autorit të “Vargjeve Satanike”, për të cilin para disa viteve Irani urdhëroi të vritej e më pas e tërhoqi urdhrin.

Matar ishte mes spektatorëve dhe pasi u ngjit në skenë, iu drejtua Rushdies të cilin e qëlloi në qafë e në pjesën e barkut. Mësohet se novelisti i njohur me origjinë indiane iu nënshtrua një operacioni të gjatë në spital ku mbahet me respirator. Po ashtu, pësoi dëmtime serioze në njërin krah dhe në mëlçi.

I lindur në një familje myslimane indiane në Mumbai, fituesi i Booker Prize është përballur me kërcënime me vdekje për romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa myslimanë thanë se përmbante pasazhe blasfemuese. Romani u ndalua në shumë vende islamike, pas botimit të tij në vitin 1988.

Por, Ayatollah Ruhollah Khomeini, në atë kohë lider suprem i Iranit, shkoi edhe më tej e shpalli një “fatwa” ose dekret fetar, duke u bërë thirrje myslimanëve të vrisnin shkrimtarin për blasfemi. Madje, ofroi 3 milion dollarë për këdo që do ta ekzekutonte. 10 vjet më parë, një fondacion fetar gjysmë zyrtar e rriti në 3.3 milion dollarë shpërblimin për vrasjen e tij. Më vonë, Republika Islamike u tërhoq nga urdhri dhe Rushdie jetoi relativisht i pashqetësuar vitet e fundit, ndonëse i përndjekur nga ndjenjat e forta kundër tij në Iran.

Rushdie ishte në Institutin Chautauqua të Nju Jorkut, siç thuhet në faqen zyrtare në internet të këtij institucioni, “për të marrë pjesë në një diskutim rreth shërbimit amerikan si azili për shkrimtarët e artistët në mërgim e gjithashtu si një shtëpi për lirinë e shprehjes krijuese.