Rajoni

Tensionet në veri të Kosovës, sekretari Blinken thirrje palëve: Rikthejuni dialogut!

Në veri të Kosovës vazhdojnë protestat e serbëve që kundërshtojnë hyrjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, ku serbët janë shumicë. Ditët e fundit ato kanë kulmuar në përleshje të dhunshme, me pasojë plagosjen e 30 ushtarëve të KFOR-it. sot në mëngjes, dhjetëra protestues janë mbledhur para objektit komunal në Zveçan, ku paqeruajtësit e KFOR-it kanë ngritur tela me gjemba.

Përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, shprehen se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre: të tërhiqen kryetarët shqiptarë të komunave, si dhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu. Thirrje të ngjashme janë bërë dhe nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian. Por, kryeministri Albin Kurti këmbëngul se kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, janë “të vetmit me legjitimitet për të qëndruar në ndërtesat e komunave në veri”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje si Kosovës ashtu edhe Serbisë, t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, për normalizimin e marrëdhënieve. Ai përsëriti se vendimi i qeverisë së Kosovës për të vendosur me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë e të panevojshme”. Në një deklaratë të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, thuhet:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga  vende alternative, pra jashtë ndërtesave komunale, si dhe t’i tërheqin forcat policore nga atje. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe qeveria serbe duhet që të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura e t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës, të ndalojnë sfidimin e KFOR-it e gjithashtu të përmbahen nga aktet e mëtejshme të dhunës.