Film & Tv

“The Room”, ja si filmi më i keq ndonjëherë u kthye në një legjendë Hollywood-i. Kritikë.

Me siguri “The Room” nuk është filmi më i keq realizuar ndonjëherë, sidoqoftë është shumë afër të qënit i tillë. Mund të themi me garanci së ka trajektoren më të çuditshme në historinë e filmave; 15 vite nga premiera në daljen kombëtare dhe ndërkmombëtare. Në 10 Janar të 2017, pak kohë mbas filmit hollywood-ian për të, “The Disaster Artist”, i kandiduar për çmim Oscar, “The Room” do të shfaqej në 600 salla nëpër amerikë. Ky mund të quhet edhe kulminacioni i përpjekjeve të krijuesit të këtij filmi për t’u njohur dhe respektuar nga komuniteti i film-bërësve në botë.

Në mesin e viteve 2000, një poster i papajtueshëm me të ngjashmit u shfaq në Highland Avenue në West Hollywood. Një foto bardh-e-zi që mbante vetëm një titulli, një website dhe një numër telefoni për të konfirmuar pjesmarrjen në një nga dy vend-ndodhjet ku ai do të shfaqej. Pak të thuash se posteri ishte disi i çartur, një burrë, me një shikim të vëngër, idem si fotot e të dyshuarve nëpër rajone policie. Mungesa e kontekstit e bënte foton edhe me të vështirë për t’u deshifruar. A ishte “The Room” një thriller noir, një horror gotic, kult vampirash, apo reklamë për t’ju shmangur një mashtruesi…

Historia tregoi që “The Room” ishte të gjitha këto dhe shumë më tepër.

Burri në billboard-in e filmit është Tommy Wiseau, skenaristi, producenti, regjisori, protagonisti …isti …isti ..isti. Edhe pse në verën e 2003 filmi arkëtoi vetëm 1900 $ në dy sallat që u shfaq për 2 javë, posteri qëndronte aty, duke i kushtuar Wiseau-t 5000$ në javë, diçka që afashaninonte fansat gjithmonë e më të shumtë në numër të personazhit i cili rrugës mori emërtimin “Orson Wellsi i budallëqeve”.

E përtej çdo gjëje pa kuptim që rrethon këtë film duke nisur me buxhetin e tij 6 milion dollarësh, skenat e seksit pa kuptim, dialogu jo koherent, konfkliktet non sens, aktrimi më i tmershëm në histori, sidomos nga protagonisti, lista vazhdon për gjatë, heqjen e billboardit në 2008, “The Room” ja doli të kthehej në një hit, madje në një film kult.

I ndihmuar nga thashethemi, “The Room” u kthye në një fenomen kinematografik, me aktorë si Judd Apatow, Paul Rudd apo Kristen Bell që shkonin në shfaqet e tij famëmëdha. Sot e kësaj dite kinema nëpër botë vazhdojnë të shfaqin filmin më fansa aq të zjarrtë sa bërtasin në kupë të qiellit dialogjet e tij apo hedhin lugë drejt bezes së bardhë, të veshur në disa raste si Wiseau dora vetë. Ka një lloj hipnotizimi që i bëhet publikut prej këtij filmi, fama e të cilit u bë edhe më e madhe pas daljes së “The Disaster Artist” me James Franco. “The Room” u kthye edhe në një libër 500 faqesh në 2013 nga autori i filmit, i cili shpjegon në detaje haluçinante arsyet pse “The Room” është ai që është.

“The Room”, një komedi e zezë, flet për një tradhëti që i bëhet Johnny-t (Wiseau) i cili është duke jetuar ëndrrën amerikane. Ka një apartament në një lagje të shtrenjtë të San Franciscos, punon në bankë dhe pret të martohet me të fejuarën e tij Lisa (Juliette Daniels), e cila ja dredh me shokun e tij të ngushtë Mark (Greg Sestero). Si një tragjedi xhakobiane, filmi kalon nëpër peripeci ekstra-njerëzore duke u zgjidhur trishtë. I përshkruar kështu filmi nuk ka asgjë të çuditshme, një lloj klisheje po, por kaq. Stili regjisorial është një kombinim i “Mulholland Drive” dhe “Jingle all the Way”. Por realizimi është i një niveli tjetër. Me dialogje skandaloze, skenografi mizerable, green screen pa fokus dhe skena seksi ngërdheshëse, ah po dhe disa fotografi lugësh (lugë po, ato që hamë supën) në komodinën e sallonit.

Personazhet e “The Room” jetojnë në një univers paralel ku sjellja njerëzore nuk ka lidhje fare me normat e shoqërise prej nga vijnë. Dialogje si “Jam shumë i zënë” kur personazhi nuk është duke bërë asgjë, madje edhe fjala “Ç’kemi?/Hi” humbet të gjithë kuptimin që ka me mënyrën si është thënë. Konflikte që shfaqen dhe humbasin brenda minutës, skena që nuk lidhen me njëra tjetrën, filmi duket sikur është shkruar nga një njeri që ka probleme kujtese dhe logjike në të njëjtën kohë. Një nga personazhet më pa lidhje në film është Denny (Philip Haldiman), një djalë i ri për të cilin Johnny përkujdeset. Askush nuk di të shpjegojë funksionin e tij në histori, futjet dhe daljet e tij janë absurde.

“The Room” është produkti i një djaloshi që kishte 6 milionë dollarë, që kërkonte famë dhe sukses, e donte ta arrinte këtë duke bërë një film, duke patur zero eksperiencë në film-bërje. Vendimet e tij për të ndërtuar një tualet privat për veten në sheshxhirim, por të mos paguante për ajër të kondicionuar apo shishe uji për produksionin, njëri prej të cilëve humbi ndjenjat nga dehidratimi, janë më shumë se të çmendura. Filmi gjithashtu është xhiruar me dy kamera – një 35mm dhe një HD sepse “Hollywoodi ishte konfuz për cili format do ishte ai i të ardhmes”, sipas autorit. Në librin e Sesteros “Disaster Artist” (aty ku është bazuar edhe filmi i Franco-s) tregohet se është aftësia e supervisorit të skenarit – veteranit të Hollywood-it – Sandy Schklair, i cili arriti ta kthente paçavuren e Tommy-t në dicka jo aq jashtëtokësore. I portretizuar nga Seth Rogen në filmin e Franco-s, Schklair punonte nën një presion të jashtëzakonshëm me një Wiseau që persekutonte aktorët dhe stafin, nuk mbante mend skenarin e tij apo vinte orë me vonesë në xhirim.

Arsyet përse një film kthehet një kult si në rastet e “Plan 9 from outer Space”, “Troll 2” apo “Mysteri Science Theatre 3000” vijnë për shkak të buxheteve të ulëta të prodhimit, aktorë dhe efekte speciale të tmerrshme apo probleme të brendshme me studiot që i prodhonin. Ndërsa “The Room” kishte një buxhet të respektueshëm edhe për standartet e Hollywood-it, 30 profesionistë të vërtetë në shesh xhirim (edhe pse u ndërruan 4 herë gjatë xhirimeve për shkak të problemeve që kishin me Tommy-n), pra mundësinë për të qënë çdo gjë që krijuesi donte të ishte.

Dhe a nuk është filmi po aq i pazakontë sa krijuesi?!

Ai, Tommy Wiseau, nuk dihet kur ka lindur, as ku (thotë në Europë, kaq) madje nuk ka një mbiemër të konfirmuar. Sipas Rick Harper, realizuesit të dokumentarit që Wiseau tentoi ta hiqte nga qarkullimi “Room Full of Spoons” (2016), ky i fundit është nga Poznan, Poloni. Më vonë ai shkon në Francë dhe ndrron emrin në Pierre, aty ku sipas dokumentarit ka vuajtur kushte të vështira pune, brutalitet policor, ka qënë i pastrehë, madje ka punuar si protstitutë përpara se të siguronte të ardhurat për të shkuar në SHBA, me një pasaportë të re. Edhe pse Wiseau për shumë kohë pohonte se ishte nga New Orleans, faktet tregojnë se nga Franca erdhi në Louisiana për të jetuar me të afërm. Prej andej do të shkonte në San Francisco ku do të punonte në portin e Fisherman’s Wharf. Tommy ka mbajtur të shkuarën e tij shumë të fshehur, që bën çdo fakt të pavërtetueshëm apo verifikueshëm, duke e veshur personazhin e tij edhe më shumë me mister.

Edhe pse askush nuk donte ta merrte atë në punë si aktor për shkak të, hmm faktit që është komplet i patalentuar, Wiseau besonte aq shumë tek vetja, saqë harxhoi çdo kursim të tijin për t’u bërë i tillë. Pra ai e dinte që do të kthehej në një legjendë. Në një artikull që Franco shkruan për Vox, pasi lexoi librin për Tommyn ai thotë se:

“Lufta e brendshme e personazhit për të qënë krijues edhe pse qesharake kthehet në një paradigm të faktit  se sa e vështirë është të jesh krijues në një botë që e bën kaq të vështirë këtë proces, Tommy c’est moi!”

Thelbi i “The Room” është: A është vërtet i keq një film i cili të lë mbresa, qoftë edhe për keq. Një gjë e pavlerë a nuk do të vononte të harrohej.

Shiheni vetë këtu dhe mblidhni mendjen. Më pas shihni edhe “The Disaster Artist”

P.S Fillimisht shiheni vetëm!