Bota

Ukraina kishte planifikuar sulme në qytetet ruse më 24 shkurt, SHBA urdhëroi të ndalohej

Inteligjenca ukrainase kishte planifikuar një sulm të madh që përfshin Moskën, në përvjetorin e pushtimit të plotë më 24 shkurt, por e braktisi atë me kërkesë të SHBA-së.

Kyrylo Budanov, kreu i kundërzbulimit të ushtrisë ukrainase, planifikoi sulme të guximshme thellë pas linjave të armikut që alarmuan zyrtarët në Uashington, transmeton Telegrafi. Në shkurt, në përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës, zyrtarët në Kiev ishin të zënë me hartimin e planeve për të sulmuar Moskën.

Gjeneralmajor Kyrylo Budanov udhëzoi një nga oficerët e tij që “të përgatitej për sulme masive në 24 shkurt … me gjithçka që ka Shërbimi Informativ i Mbrojtjes i Ukrainës”.

Kështu thuhet në një raport konfidencial të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Thuhet se Ukraina po konsideronte madje një sulm detar duke përdorur TNT në qytetin port të Detit të Zi, Novorossiysk. Në Uashington, zyrtarët po monitoronin fshehurazi planet e ukrainasve. Shtëpia e Bardhë ka qenë prej kohësh e shqetësuar se sulmet brenda Rusisë mund të provokojnë një përgjigje agresive nga Kremlini.

Më 22 shkurt, dy ditë përpara përvjetorit, CIA publikoi një raport të ri të klasifikuar: Shërbimi Informativ i Mbrojtjes i Ukrainës “ra dakord, me kërkesë të Uashingtonit, të shtyjë sulmet” ndaj Moskës.

Dokumentet, pjesë e një grumbulli informacionesh të klasifikuara që dyshohet se janë zbuluar, nuk shpjegojnë saktësisht se kush ndërmjetësoi ose pse ukrainasit ranë dakord të largoheshin.

“Ukraina, e etur për ta çuar luftën në terrenin e Rusisë, ndonjëherë frenohet nga Shtetet e Bashkuara, të cilat vazhdimisht janë përpjekur të shmangin përshkallëzimin e konfliktit në luftime të drejtpërdrejta midis forcave amerikane dhe ruse. Disa zyrtarë amerikanë shohin sulme ndaj Rusisë, veçanërisht nëse ata përfshijnë armë të furnizuara nga SHBA, si operacione shumë të rrezikshme që presidenti rus Vladimir Putin mund t’i konsiderojë aq kërcënuese sa të përdorë armët taktike bërthamore”, shkruan Washington Post.

Përfaqësuesi në Dumën ruse: Kur ta zgjidhim me Ukrainën, do të vijmë të ndihmojmë Serbinë
Privatisht, zyrtarët amerikanë dhe evropianë shprehin admirimin e tyre për Budanovin. Por ata gjithashtu thonë se ‘pafytyrësia’ e tij ndonjëherë i bën nervozë.

Në veçanti, më 13 shkurt, ditën kur në dokumentin amerikan thuhej se Budanov udhëzoi një nga oficerët e tij të ishte gati për një operacion, Shtetet e Bashkuara përsëritën këshillat e tyre publike për qytetarët në Rusi që të largoheshin menjëherë nga vendi.

Dokumentet tregojnë gjithashtu qartë se komuniteti amerikan i inteligjencës po monitoron komunikimet e Budanov, gjë që duket se nuk është asgjë e re për gjeneralin.

Agjencia e Budanov bëri plane për të sulmuar anëtarët e kompanisë private ushtarake ruse Wagner në Mali, por nuk dihet se në çfarë faze janë operacionet në Mali dhe nëse shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë marrë miratimin për të realizuar planet e tyre.

Inteligjenca e mbrojtjes ukrainase ka zhvilluar gjithashtu plane për të kryer sulme të fshehta kundër forcave ruse në Siri, duke përdorur ndihmën e fshehtë kurde.

Zyrtarët në Uashington dhe Evropë kanë paralajmëruar Ukrainën kundër sulmeve jashtë territorit të saj, që ata besojnë se kanë shkuar shumë larg.

Zyrtarët amerikanë janë gjithashtu të shqetësuar se Pekini ka të ngjarë t’i shohë sulmet e Ukrainës brenda Rusisë si “një mundësi për të paraqitur NATO-n si agresore”, dhe se Kina mund të rrisë mbështetjen e saj për Rusinë nëse i konsideron sulmet si “të rëndësishme”.

Shtetet e Bashkuara e ndalojnë Ukrainën të përdorë armë amerikane për të sulmuar Rusinë.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha se gatishmëria e Kievit për të mos qëlluar mbi objektiva specifike dhe për t’u koordinuar me amerikanët, duhet të inkurajojë Shtetet e Bashkuara të ofrojnë armë më moderne, me rreze më të gjatë, siç është ATACMS.

Megjithatë, deri më tani, zyrtarët e administratës Biden kanë refuzuar të ofrojnë armë të tilla.