Rajoni

Vazhdojnë protestat e serbëve në veri të Kosovës/Liderë europianë diskutojnë situatën!

Në veri të Kosovës ku vazhdojnë protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë të komunave ku përbëjnë shumicën, qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që në orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje. Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, e cila funksionon nën sistemin e Serbisë janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tryezë, si dëshmi të pjesës “që vijnë në punë”.

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe të 20 shteteve të tjera të Europës, sot mblidhen në Moldavi për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre tensionet në veri të Kosovës. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. Një ditë më herët, Borrell pati një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bratisllavë të Sllovakisë. Zyrtari i lartë europian tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme” dhe “e paqëndrueshme”. Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Moldavi në kuadër të punimeve të  Komunitetit Politik Europian.

Për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, sot do të bisedojnë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në takime të ndara, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Po sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Priten deklarata të përbashkëta pas takimit në Oslo të Norvegjisë. Ende nuk dihet tema e diskutimit, por si Stoltenberg ashtu edhe Blinken kanë komentuar tensionet e fundit në veri të Kosovës që të hënën kulmuan me përleshje të ashpra mes serbëve e KFOR-it e 30 ushtarë të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë mbetën të lënduar.

Gjatë një bisede telefonike me homologun turk, Erdogan, Vuçiç i kërkoi mbështetje për stabilizimin e paqes në rajon.