Aktualitet

Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria e Tiranës nis hetime për veprime arbitrare e mosdhënie ndihme!

Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti pas shoqërimit në Komisariatin nr.3, Prokuroria e Tiranës njofton zhvillim të hetimeve për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënie ndihme”. Po ashtu, organi i akuzës së kryeqytetit bën të ditur se “administroi aktin e ekspertimit kimik të kryer nga një grup prej pesë ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë”.

Njoftimi zyrtar i Prokurorisë Tiranë:

Mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë ka regjistruar proçedimin penal Nr.7671/2022 për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K. Penal.

Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i këqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.

Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.