Food & Drink Health & Beauty

Vera po afrohet kështu që bëni kujdes me ushqimet, ja si të ‘frenoni’ oreksin!

Shtimi i proteinave në regjimin tuaj ushqimor mund të frenojë ndjenjën e urisë, të ulë nivelet e hormoneve të urisë dhe mund t’ju ndihmojë të konsumoni më pak ushqim në vaktin tuaj të ardhshëm. Proteinat janë të dobishme për t’ju mbajtur të ngopur. Kjo mund t’ju ndihmojë në humbjen e peshës, pjesërisht duke reduktuar oreksin e tepërt. Fibrat ju ndihmojnë të ngopeni duke ngadalësuar tretjen dhe duke ndikuar në çlirimin e hormoneve të ngopjes. Ndjekja e një regjimi me fruta, perime, fasule dhe fara mund të promovojë gjithashtu shëndetin tuaj afatgjatë, përkrah rënies nga pesha.

Shkencëtarët besojnë se konsumi i rreth 500 ml ujë mund të dërgojë sinjale të ngopjes në tru. Fillimi i vaktit me një supë, mund të veprojë në të njëjtën mënyrë, të ulë urinë dhe të reduktoje marrjen e kalorive të tepërta nga vakti. Megjithatë, ky mund të mos jetë rasti për të gjithë. Të ngrënit shumë shpejt ose ndërkohë që jeni të hutuar apo të shpërqëndruar, e bën më të vështirë për trurin tuaj që të vërejë sinjalet e ngopjes që trupi dërgon.

Ngadalësimi i ritmit me të cilin hani mund të jetë një mënyrë për të frenuar tendencën për të ngrënë tepër. Zvogëlimi i madhësisë së enëve tuaja mund t’ju ndihmojë gjithashtu të zvogëloni në mënyrë të pandërgjegjshme racionet e vaktit dhe të konsumoni më pak ushqim.  Ushtrimet aerobike dhe ato me rezistencë mund të ndihmojnë në rritjen e hormoneve të ngopjes dhe të çojnë në uljen e urisë dhe marrjes së kalorive.

Gjumi i mjaftueshëm dhe cilësor mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e urisë dhe mbrojtjen kundër shtimit të peshës. Sipas ekspertëve, të paktën 7 orë gjumë në natë ka të ngjarë të zvogëlojë nivelet e urisë gjatë gjithë ditës. Stresi i tepërt dihet se rrit nivelet e hormonit kortizol. Edhe pse efektet mund të ndryshojnë nga personi në person, nivelet e larta të kortizolit përgjithësisht mendohet se rrisin dëshirën për të ngrënë. Ndërkaq, xhenxhefili mund të ndihmojë në uljen e ndjenjës së urisë.  Për të nxitur ndjenjën e ngopjes, zgjidhni ushqime me përmbajtje të lartë të proteinave, të fibrave, të yndyrnave të shëndetshme dhe të karbohidrateve komplekse.