Aktualitet

Vijon zjarri në malin e Çikës/Prefekti i Vlorës: Nuk ka rrezik për pushuesit!

Prej katër ditësh, vijon zjarri në Malin e Çikës duke shkrumbuar pyje me pisha, rreth 70 hektarë deri tani.  Fillimisht, flakët ranë në vendin e quajtur “Palikonjë” e një operacion masiv vijon në terren për shuarjen e tij, me angazhimin edhe të 90 ushtarëve në Dhërmi, krahas zjarrfikësve të Himarës. Terreni i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen e rrezikon jetët e njerëzve. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj tha se presin mbërritjen e një helikopteri, për ndërhyrje nga ajri.

Prej ditësh jam në kontakt me autoritetet. Një nga vatrat është në terren të thepisur. Nuk ka rrezik për banesat e pushuesit!

Pasditen e djeshme, flakët zbritën edhe më poshtë duke iu afruar fshatit Dhërmi. Disa pushues u detyruan të largohen nga plazhi, për t’i shpëtuar tymit bezdisës, si rezultat i erës që frynte nga jugu.

Zjarret përbëjnë një problem shqetësues në vend e jo vetëm, sidomos në periudhën e verës ku temperaturat e larta dhe era favorizojnë përhapjen e vatrave, duke shkaktuar dëme. Po dje, u raportua për një të tillë në Memaliaj.

Në një seancë dëgjimore të rreth një muaji më parë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi foli mbi situatën e zjarreve, duke theksuar se “çështja e përballjes së emergjencës së tyre, nuk mund të zgjidhet vetëm me kapacitete ajrore”.

Nuk dua t’i iki përgjegjësisë, por kam një apel ndaj gjithë zinxhirit të mbrojtjes në situatë emergjence. Duhet ta luftojnë mentalitetin që zjarrin e shuajnë Forcat e Armatosura me helikopter. Nëse e shohim kështu, atëherë ju them se është e pamundur, edhe sikur të kishim buxhetin e Greqisë apo Turqisë. Vitin e shkuar, ne patëm qindra vatra zjarri dhe jo një, por edhe 10 helikopterë të kishim do të ishte e pamundur ta përballonim situatën.

Sipas ministrit Niko Peleshi, “çështja fillon nga reagimi i pushtetit vendor”. Po ashtu, ka paralajmëruar verë të vështirë në lidhje me situatën e zjarreve.