Tech

Volkswagen prezanton One Pod, taksia autonome e së ardhmes!

Gjiganti gjerman Volkswagen çdo ditë e më shumë po shfaq interes për veturat elektrike.

Shumë kompani botërore por edhe gjigantë të IT-së, konsiderojnë se veturat autonome elektrike në dekadat e ardhshme do të jenë të domosdoshme.

Këtyre kompanive tani u është bashkuar Volkswagen, ku në kuadër të Volkswagen Group Forum është prezantuar koncepti i robo-taksisë autonome të quajtur OnePod.

Qëllimi është që veturat autonome të jenë të gatshme për përdorim. Koncepti është i ngjashëm me disa fotografi që tashmë janë publikuar siç ishte mjeti në Lojërat Olimpike në Tokio, që e përdori rivali i Volkswagen, Toyota.

Volkswagen thotë që OnePod do të mund të përdorej për shumë qëllime. Do të përdorej si taksi autonome për transportimin e katër pasagjerëve e më pas si veturë familjare apo për personat me aftësi të veçanta dhe transportimin e kategorive të ndryshme të shoqërisë siç janë fëmijët dhe të moshuarit.

OnePod e karakterizojnë sipërfaqet me xham, që i mundësojnë pasagjerët të kenë peizazhe të rralla, kështu përdorimi i veturave të tilla mund të rritet në sektorin e turizmit.

Ekranet digjitalë në brendësi i ofrojnë pasagjerëve të gjitha informatat e nevojshme, ndërkaq kabina mund të përshtatet varësisht nga terrenet nëpër të cilat lëviz mjeti.