Aktualitet

Vrasja e Martinit, mjeku i spitalit privat nuk dorëzon epikrizën e 14-vjeçarit të akuzuar!

Sot vendoset në lidhje me transferimin nga spitali të 14-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit Martin Cani, mbi një javë më parë, pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Zyrtarë të burgjeve kanë njoftuar policinë, pasi mjeku i spitalit privat ku autori po merr ndihmën mjekësore, nuk pranon të plotësojë epikrizën.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën të ditur se mjeku me inicialet D.T., po zvarrit procesin prej ditës së djeshme. Në kuadër të një komisioni të ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, edhe sot, grupi i përbërë nga pesë persona u paraqit në mjediset e spitalit privat ku po trajtohet i mituri por sërish pa rezultat.

Të premten e kaluar, ndaj 14 vjeçarit u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg”, i akuzuar për “Vrasje në rrethana cilësuese”. Ndërkaq, mjeku ka detyrimin që përfaqësuesve të Burgjeve t’i japë epikrizën e të miturit.

Komisioni me pesë persona duhet të provojë se në çfarë gjendje shëndetësore është, si dhe ta transportojë nga ambienti i spitalit privat, ose në spitalin e burgjeve në një seksion për të miturit, ose në institutin e të miturve në Kavajë. Ditën e djeshme kjo gjë nuk u realizua sepse mjeku nuk e dorëzoi kartelën dhe epikrizën.

Aktualisht, anëtarët e komisionit po komunikojnë me prokuroren e çështjes dhe me policinë, për të vendosur se si do reagohet nëse spitali dhe mjeku nuk e dorëzojnë epikrizën.