Aktualitet

Vrau Martinin, gjykata lë në burg autorin/14 vjeçari: Nuk mbaj mend gjë!

“Arrest me burg” vendosi gjykata për 14 vjeçarin e akuzuar për vrasjen me thikë të Martin Canit më 18 nëntor, pranë shkollës “Fan Noli” në qendër të Tiranës.  Në një seancë që zgjati vetëm pak minuta, të miturit me iniciale M.P iu komunikua masa e arrestit që e lë në qeli ndërsa për momentin po trajtohet në një spital privat, pasi mbeti i plagosur. Masa e arrestit me burg iu komunikua në mjediset spitalore.

Mësohet të jetë shprehur se nuk mban mend gjë nga ngjarja.  Nga Prokuroria akuzohet për “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj të miturit”. Ndërkaq, nuk janë gjetur arma e krimit e as telefoni celular i autorit të dyshuar. Ky i fundit është shfaqur duke pozuar pas krimit të rëndë.

Pas një sherri që vijonte prej ditësh, vetëm pak metra larg shkollës “Fan Noli”, 14 vjeçari Martin Cani u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari e ndërroi jetë te Trauma. Dje pati edhe një protestë para Ministrisë së Arsimit me thirrjet për më shumë siguri në shkolla e mbylljen e rrjeteve sociale. Prindërit e Martinit theksuan se nuk duan hakmarrje.

Mësohet se grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e bizneseve në rrugën ku ndodhi vrasja, për të hedhur më shumë dritë në lidhje me ngjarjen që tronditi vendin. Paraprakisht dyshohet se autori është larguar me vrap pasi ka qëlluar me thikë dy bashkëmoshatarët e tij. Po ashtu hidhen dyshime se ka pasur të tjerë persona që kanë marrë autorin duke e larguar nga vendngjarja, pasi ai vetë u lëndua dhe u dërgua në një spital privat për mjekim, aty ku sot iu komunikua masa e sigurisë “Arrest me burg”.