Aktualitet

Vrasja e Martinit, transferohet në paraburgim 14 vjeçari i arrestuar si autor!

U transferua në institucionin e paraburgimit të të miturve në Kavajë, 14 vjeçari i arrestuar si autor i vrasjes së Martin Canit.  Për herë të dytë, një grup i përbërë nga pesë persona dhe që janë pjesë e një komisioni të ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, sot shkuan në spitalin privat ku i mituri merrte mjekim. Por u penguan nga mjeku Dritan Todhe, i cili nuk lëshonte epikrizën duke mos përcaktuar gjendjen shëndetësore të 14-vjeçarit, i cili gjithashtu mbeti i plagosur gjatë konfliktit të 18 nëntorit pranë shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Situata mori zgjidhje në mesditë.

Zyrtarë të burgjeve njoftuan policinë pasi mjeku i spitalit privat ku autori po merrte ndihmën mjekësore, nuk po plotësonte epikrizën. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bëri të ditur më herët se mjeku  po zvarriste procesin prej ditës së djeshme. Të premten e kaluar, ndaj 14 vjeçarit u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg”, si person i akuzuar për “Vrasje në rrethana cilësuese”. Ndërkaq, mjeku kishte detyrimin që përfaqësuesve të Burgjeve t’i jepte epikrizën e të miturit. Komisioni me pesë persona duhej të provonte se në çfarë gjendje shëndetësore ishte i akuzuari, si dhe ta transportonte nga ambienti i spitalit privat.