Bota Botë e Çuditshme

Zbulohen në plazhin e ishullit Wight të Anglisë ​gjurmët e dinozaurëve!

Një grup gjurmësh dinozauri të ruajtura mirë u zbuluan në një plazh në brigjet jugore të Anglisë. Inxhinierët nga Agjencia e Mjedisit e qeverisë po hetonin se si të përforconin mbrojtjen e detit përgjatë bregdetit Yaverland në ishullin Wight, kur zbuluan fosilet. Ekspertët besojnë se gjurmët 125 milionë-vjeçare mund të jenë nga një Mantellisaurus, shtatë metra i gjatë dhe me tre gishta, gjë që i dallon ata nga dinozaurët e tjerë.

Mantellisaurus-ët ishin barngrënës dhe jetuan gjatë periudhës së hershme të Kretakut, e cila përfundoi 66 milionë vjet më parë. Agjencia e Mjedisit tha se fosilet u gërmuan në një destinacion pushimi pranë një kafeneje në plazh, një parking makinash dhe një stacion autobusi. Ky lloj zbulimi nuk është befasi për ekspertët. Martin Munt, kurator i muzeut lokal të “Dinosaur Isle”, e quajti ishullin Wight si vendndodhja më e pasur e dinozaurëve në Evropë.

Në deklaratën për shtyp, Munt tha se 35 lloje të ndryshme dinozaurësh janë gjetur në ishull dhe se ndërsa ata nuk mund të jenë të sigurt për speciet e dinozaurëve që kanë lënë gjurmët, ka shumë të ngjarë që një Mantellisaurus të ketë qenë këtu, jo vetëm në të tjera pjesë të bregdetit jugor, ku supozohej se ishin më të zakonshme.

Së fundmi shkencëtarët zbuluan fosile dinosaurësh në Castellón, Spanjë, të cilët i përkasin një specie të panjohur të familjes së Spinosauridëve, sipas një publikimi në revistën “Scientific Reports”. Identifikimi i specieve të reja sugjeron se Gadishulli Iberik mund të ketë qenë një zonë që ishte shtëpia e dinosaurëve të përmasave të mesme dhe të mëdha. Dinosaurët e mëdhenj, dykëmbësh dhe mishngrënës i përkasin familjes së Spinosauridëve.