Botë e Çuditshme

Zbulohet një specie e re dinosauri në Spanjë!

Së fundmi shkencëtarët kanë zbuluar fosile dinosaurësh në Castellón, Spanjë, të cilët i përkasin një specie të panjohur të familjes së Spinosauridëve, sipas një publikimi në revistën “Scientific Reports”. Identifikimi i specieve të reja sugjeron se Gadishulli Iberik mund të ketë qenë një zonë që ishte shtëpia e dinosaurëve të përmasave të mesme dhe të mëdha. Dinosaurët e mëdhenj, dykëmbësh dhe mishngrënës i përkasin familjes së Spinosauridëve.

Në këtë familje përfshiheshin edhe Spinosaurus dhe baryonyx. Besohet se Spinosauridët mund të kenë origjinën në Evropë dhe më pas migruan në Afrikë dhe Azi. Studiuesit analizuan fragmente fosile, një kockë e nofullës së djathtë, një dhëmb dhe pesë rruaza, të zbuluara në formacionin gjeologjik Arcillas de Morella në Spanjë dhe që datojnë në periudhën e hershme të Kretakut.

Bazuar në mbetjet, studiuesit vlerësojnë se ky dinosaur ishte rreth 10-11 metra i gjatë. Bazuar në analizën krahasuese me dinosaurët e tjerë në familjen Spinosaurid, autorët e njohën ekzemplarin si një gjini dhe specie të re dhe e quajtën ‘Protathlitis cinctorrensis’ , fjala ‘cinctorrensis’ u vendos si një referencë për qytetin e Cinctorres, ku u gjet.

Miliona vjet pasi dinosaurët sunduan Tokën, skeleti i një Tyrannosaurus Rex gjigant u prezantua së fundmi për publikun në Zvicër. Ndërkaq, shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar një dinozaur që hante gjitarë. Ata kanë zbuluar fosilin e një dinozauri të vogël me krahë të quajtur Microraptor, i cili jetonte në pyjet e lashta të asaj që sot është Kina gjatë periudhës së hershme të Kretakut rreth 120 milionë vjet më parë.