Bota Botë e Çuditshme

Zbulohet për herë të parë gripi i shpendëve në Antarktidë!

Shkencëtarët njoftuan se në kontinentin e Antarktidës për herë të parë është zbuluar gripi i shpendëve (H5N1). Sipas gazetës “The Guardian”, shkencëtarët në bazën Primavera, stacioni i kërkimit shkencor i Argjentinës në Antarktidë, ekzaminuan dy puffinë (zog deti) të ngordhur. Shkencëtarët theksuan se në dy puffinët u zbulua gripi i shpendëve dhe vunë re se këto ishin rastet e para në kontinentin e Antarktidës. Komiteti Shkencor për Kërkimet e Antarktidës raportoi se disa raste të dyshuara për H5N1 u gjetën gjithashtu në gjirin Hope në Antarktidë.

“Ky zbulim tregon se për herë të parë virusi H5N1 ka arritur në Antarktidë, pavarësisht kufijve natyrorë dhe distancës që e ndajnë kontinentin nga të tjerët”,-thuhet në raportin e ekipit hulumtues. Nga ana tjetër, shkencëtarët deklaruan se gripi i shpendëve vazhdon të përhapet në mbarë botën dhe se virusi mund të jetë sjellë në kontinent nga shpendët shtegtarë. Miliona zogj që nga viti 2021 janë zhdukur për shkak të gripit të shpendëve të quajtur H5N1.

Rikujtojmë, se një ari polar ka ngordhur nga gripi i shpendëve në Alaskë pasi virusi ngjitës H5N1 po përhapet në zonat më të largëta të planetit. Ariu polar u gjet i ngordhur në Utqiagvik, një zonë që është goditur rëndë nga shpërthimi aktual global i gripit të shpendëve. Lajmi u konfirmua në dhjetor nga Departamenti i Ruajtjes së Mjedisit në Alaskë. “Kjo është e para që një ari polar të ngordhë nga gripi i shpendëve në planet”,-tha veterineri i shtetit të Alaskës Dr.Bob Gerlach për gazetën Alaska Beacon, duke lënë të hapur mundësinë që ariu polar është infektuar duke ngrënë zogj të kontaminuar.