Një studim i publikuar në revistën Nature Communications ka zbuluar një lumë të lashtë të ruajtur nën akullin e Antarktidës Lindore, që ka mbetur i mbuluar për miliona vjet. Sipas studiuesve nga Universiteti i Durhamit, zona e fshehur dikur ishte një rajon i ngrohtë me lumenj që rridhnin drejt bregdetit, përpara se Antarktida të mbulohej nga akulli rreth 34 milionë vjet më parë. Madje, në të kaluarën e largët, kontinenti mund të ketë pasur edhe vegjetacion tropikal.
Peizazhi u zbulua përmes satelitëve dhe radarëve që depërtojnë në akull, duke treguar struktura të formuara nga lumenj të lashtë, të “ngrirë në kohë” nën shtresën e akullit. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale mund të shkaktojë tërheqjen e akullit në të ardhmen, duke ekspozuar për herë të parë këtë terren në miliona vjet. Studimi thekson gjithashtu se Antarktida Lindore përmban potencialin për rritje të nivelit të detit deri në rreth 60 metra nëse do të shkrihej plotësisht, edhe pse ky është një skenar afatgjatë dhe ekstrem.
Një studim i ri shkencor ka hedhur dritë mbi një fenomen që ka habitur ekspertët për vite me radhë; shkrirjen e shpejtë të akullit në Antarktik pas vitit 2016. Sipas kërkimit, arsyeja kryesore lidhet me nxehtësinë e grumbulluar në oqeanin përreth kontinentit. Për shumë vite, reshjet e shumta krijonin një shtresë sipërfaqësore më pak të kripur, e cila vepronte si barrierë dhe pengonte nxehtësinë të ngjitej në sipërfaqe.
Megjithatë, shtimi i stuhive në rajon ka ndryshuar këtë ekuilibër, duke lejuar që uji i ngrohtë nga thellësia të ngjitet në sipërfaqe dhe të përshpejtojë shkrirjen e akullit. Shkencëtarët kanë arritur në këto përfundime duke analizuar të dhëna të mbledhura nga pajisje robotike të vendosura në oqean, të cilat për më shumë se dy dekada kanë monitoruar temperaturën dhe përbërjen e ujërave.