Bota

Zelensky: Ukraina është e gatshme ta nisë kundërofensivën!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri të ditur se shteti i tij është i gatshëm të nisë kundërofensivën e shumëpritur, për të çliruar territoret e pushtuara nga forcat ruse prej shkurtit të vitit të kaluar. Por, kreu i shtetit ka paralajmëruar se kundërofensiva do të jetë e kushtueshme. Në një intervistë të publikuar sot në të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, Zelensky deklaroi:

Ne besojmë fuqishëm se do të dalim fitimtarë. Nuk e di sa do të zgjasë. Për të qenë i sinqertë, mund të ndodhin shumë gjëra, që do të shkojnë në disa drejtime. Por, ne do ta nisim dhe jemi të gatshëm për këtë.

Presidenti ukrainas shtoi se ushtria e Ukrainës nuk i ka marrë të gjitha armët për të cilat ka shpresuar, por se nuk mund të presin më. Muajin e kaluar, Zelensky deklaroi se shtetit të tij i duhen më shumë armë, përfshirë pajisjet e armatosura, përpara se të nisë kundërofensiva e shumëpritur.

Ka disa muaj që në mënyrë të përsëritur, ai i kërkon Perëndimit më shumë ndihmë ushtarake e armë. Aktualisht, Rusia zotëron territor ukrainas në lindje, jug dhe juglindje të shtetit që pushtoi pa u provokuar.

Zelensky ka nënvizuar se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme raketore të mbrojtjes, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mbrojtur qytetarët e saj nga sulmet ajrore ruse.

Ai ka deklaruar se mungesa e mbrojtjes nga sulmet ajrore ruse, nënkupton se “një numër i madh i ushtarëve do të vdesin” në kundërofensivë. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.