Bota

Zyrtare, Gjermania i jep dritën jeshile dërgimit të tankeve Leopard në Ukrainë!

Nuk ka më asnjë lëkundje, qeveria gjermane konfirmoi se do t’i sigurojë Ukrainës tanke luftarakë të llojit Leopard 2 dhe se do të miratojë kërkesat e vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë. Kancelari Olaf Scholz tha sot se “Gjermania po vepron në koordinim të ngushtë me aleatët”.  Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit:

Qëllimi është që të krijohen me shpejtësi dy batalione me tanke Leopard 2 për Ukrainën. Në hapin e parë, Gjermania do të sigurojë 14 tanke nga rezervat e veta ushtarake. Trajnimi i trupave ukrainase për përdorimin e këtyre tankeve do të fillojë së shpejti dhe po ashtu, Berlini do të sigurojë logjistikë e municione.

Vendimi i shumëpritur erdhi pasi zyrtarët amerikanë thanë se u arrit një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dërgonin tanke M1 Abrams për të ndihmuar Kievin të zmbrapsë forcat ruse të vendosura në lindje të Ukrainës.

Scholz pati këmbëngulur që çdo lëvizje për t’i siguruar Ukrainës tanke të fuqishëm Leopard 2 do të duhej të koordinohej ngushtë me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarët e qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholzit e përshëndetën lajmin që përpara dhënies së njoftimit zyrtar. Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarakë për të luftuar forcat ruse që rreth një vit më parë nisën luftën në shtetin fqinj, duke pretenduar se është fjala për një operacion ushtarak për ta çmilitarizuar Ukrainën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky beson se rreth 300 tanke Leopard do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i Leopard 2-shit, e cilëson “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë e manovrueshmërisë, duke e bërë të përshtatshëm për shumë lloje situatash të luftimit.

Tanku me peshë 55 tonë ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash e shpejtësi maksimale prej afro 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave.

Një element tërheqës i tankeve të prodhuara nga Gjermania është numri i tyre: më shumë se 2 mijë të tilla janë dërguar në mbi dhjetë vende europiane e në Kanada. Në përgjithësi, Krauss-Maffei Wegmann thotë se mbi 3 mijë e 500 tanke u janë dërguar 19 vendeve.

Rheinmetall AG, një kontraktues gjerman i mbrojtjes, i cili prodhon topin 120-milimetërsh për Leopard 2-shin, thotë se tanku përdoret “nga më shumë shtete se cilido tjetër lloj”.