Bota Tech

Zyrtare, Twitter në duart e Elon Musk/Pushohen nga puna 4 drejtues!

Një kapitull i gjatë që shkoi edhe përmes kërcënimeve, u mbyll. Tani, kontrollin e Twitter-it e ka njeriu më i pasur i botës, Elon Musk, duke i dhënë fund pasigurive e përplasjeve për numrin e saktë të llogarive të rreme.

Sipërmarrësi afrikano-jugor i natyralizuar amerikan siguroi kontrollin pasi mbylli marrëveshjen në vlerë 44 miliardë dollarë. Një akord që u arrit në prill të këtij viti për blerjen e platformës, pas një betejë ligjore disa javëshe me drejtuesit e kompanisë.

Tre burime të rezervuara e të mirëinformuar, të cituar nga gazeta “Washington Post” bënë të ditur se themeluesi i Teslas, menjëherë dëboi disa prej drejtuesve të lartë, duke konfirmuar edhe mbylljen e marrëveshjes.

Të pushuarit janë shefi ekzekutiv Parag Agrawal, ai i financave Ned Segal, përgjegjësi i çështjeve ligjore dhe i politikave të Twitter-it, Vijaya Gadde, si dhe këshilltari i përgjithshëm, Sean Edgett. Nuk dihet me saktësi emri, por raportohet se të paktën njëri prej tyre u shoqërua jashtë selisë së shoqërisë.

“Dhe zogu është i lirë”. Me këto fjalë, pra “zogu është i lirë”, Musk shkroi në Twitter, referuar pikërisht kompanisë që për logo ka një zog blu.

Musk iu rikthye respektimit të kushteve të marrëveshjes së muajit prill të këtij viti, pasi më parë u pendua për operacionin e blerjes. Ai besonte se numri i llogarive të rreme në platformë ishte shumë më i lartë nga sa raportohej zyrtarisht. Në fillim të muajit, njoftoi se ishte dakord t’i çonte deri në fund procedurat duke shmangur përballjen gjyqësore në Delaware. Gjyqi nuk mund të shmangej në rast tërheqjeje. Sot ishte afati i fundit, që palët të arrinin marrëveshjen dhe marrëveshja u arrit, Elon Musk është pronari i ri i Twitter-it.