Aktualitet

Vajza tentoi vetëvrasjen, Gjykata e Vlorës lë në burg babanë e 17-vjeçares!

Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për babanë e 17-vjeçares që tre ditë më parë tentoi vetëvrasjen me armë zjarri në lagjen “Kushtrimi” të qytetit bregdetar jugor. Ai akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktim i vetëvrasjes”.

Gjatë seancës u kërkua një masë më e lehtë sigurie për 43-vjeçarin, por gjyqtari i çështjes pranoi kërkesën e Prokurorisë duke përcaktuar atë shtrënguese “Arrest në burg”.

Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak ditë më parë në Vlorë, kur adoleshentja qëlloi veten me pistoletë në kokë në banesën e gjyshit të saj. Vajza vijon e shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë ku raportohet se është në gjendje shëndetësore të rëndë.

Nën hetim për ngjarjen është edhe gjyshi i të miturës, i akuzuar për armëmbajtje pa leje ndërsa policia vijon kërkimet për gjetjen e armës së zjarrit e që dyshohet të jetë fshehur nga familjarët pasi 17 vjeçarja tentoi t’i japë fund jetës duke ndërmarrë aktin vetëflijues.