Përtej shqetësimeve në Europë për një lidhje mes trombozës e vaksinës anti-COVID të “AstraZeneca”-s që çoi në pezullimin nga disa shtete të vaksinimit me të, Shqipëria merr sot 38.400 dozat e para. Të siguruara përmes instrumentit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, me vaksinën e “AstraZeneca”-s do të vaksinohen mësuesit duke filluar nga nesër. Referuar studimeve, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, ISHP, Silva Bino e vuri theksin te efikasiteti dhe siguria e kësaj vaksine.
Në të njëjtën linjë me shumë vende të Europës, Shqipëria vendosi ta përdorë dhe për personat mbi 65-vjeç ndonëse kohë më parë ishte përcaktuar që të përdorej për njerëz më të rinj se kjo moshë. Në vendin tonë, vaksinimi vijon prej dy muajsh dhe deri tani janë kryer 23 mijë vaksina të “Pfizer&BioNTech”-ut për personelin shëndetësor e të moshuar, të identifikuar mes grupeve parësore të riskut. Ndërkaq, kryeministri Rama ka veçuar si objektiv vaksinimin masiv deri në qershor, që të lehtësohet dhe sezoni turistik në vend, mes të parëve që ka ndjerë pasojat e pandemisë koronavirus.