Lifestyle Live From Tirana

Varësia ndaj vëmendjes, psikologia: “Për disa njerëz, vëmendja është si oksigjen për trupin…”

Best of Live From Tirana

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë psikologia Loreta Caka, për të folur më shumë mbi varësinë ndaj vëmendjes. Pse disa persona e kanë më të theksuar dhe kur konsiderohet toksike?

Çfarë është varësia ndaj vëmendjes?

Varësia ndaj vëmendjes, për një kategori njerëzish është njësoj si oksigjeni për trupin tonë. Këta njerëz, nëse nuk marrin vëmendjen që kërkojnë, nuk marrin aprovime, komplimente, ‘like’, miratime, ndihen bosh, ndihen të pavlerë, ndihen sikur nuk ekzistojnë. Pra kjo është e kthyer në patologji. Ndërkohë që ne mund të bëjmë një foto, apo të kërkojmë mendimin e dikujt për diçka normale të përditshmërisë, që nuk e bëjmë vazhdimisht, kjo është një gjë normale. Pra nëse ti pyet një mikun tënd që ‘sot do bëj këtë gjë, mendon se është mirë?’, pra për të marrë një mendim të dytë, për të qenë më i sigurt, nuk është patologji. Por kur ti atë gjë e shpërndan me të gjithë dhe kërkon mendimin e të gjithëve për të qenë i sigurt, më saktë nuk është për të kërkuar mendim, është thjesht që ti të mbushësh egon tënde që ti mund t’ia dalësh, ti je më i miri.

A vjen kjo nga mungesa e vetëbesimit?

Absolutisht. Vetëbesimi dhe vetëvlerësimi janë një nga pikat kyçe që vjen kjo kërkesa e madhe për vëmendje. Ka dhe disa gjëra të tjera që e sjellin këtë. Për shembull mungesa e vëmendjes në fëmijëri, që është gjëja kryesore. Kur fëmijët nuk marrin vëmendjen e duhur nga prindërit, ose nuk i këshillojnë ashtu siç duhet, kjo gjë me kalimin e kohës kërkohet me dhunë. Një tjetër gjë është pjesa e vetmisë, kanë frikë të jenë vetëm. Kanë frikë të hedhin hapa pa marrë miratimin e dikujt, se mendojnë gjatë gjithë kohës se si do të duken tek të tjerët. Pra patologjia e varësisë ka të bëjë pak edhe me pjesën e narcizizmit. Por padyshim narcizizmi është patologji tjetër, është më e madhe se sa varësia.