Isak Andic, themeluesi miliarder i veshjeve të modës “Mango”, dje humbi jetën në një aksident teksa eksploronte shpellat pranë Barcelonës në Spanjë. Mediat spanjolle raportuan se 71-vjeçari u rrëzua në një luginë ndërsa ishte duke ecur në shpellat që janë pjesë e një vargmali.
Andic ishte me djalin e tij dhe të tjerë pjesëtarë të familjes kur u rrëzua, sipas gazetës “El Pais”.
I lindur në tetor të 1953-shit në Stamboll të Turqisë, në një familje me origjinë hebraike dhe që më 1969-ën u zhvendos në Spanjë, në vitin 1984, pra 40 vjet më parë, biznesmeni themeloi kompaninë “Mango” me ndihmën e vëllait të tij, Nahman. Nga Barcelona, tashmë zinxhiri i shitjeve është shtrirë pothuajse në 120 vende.
“Forbes” vlerësoi se pasuria neto e Andic-it ishte 4,5 miliardë dollarë çka e bënte një prej njerëzve më të pasur të Spanjës.
Siç u bë e ditur, Andic ra në një luginë nga 150 metra lartësi ndërsa ishte duke ecur në një zonë të maleve Montserrat, e njohur për shpellat e thella.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez konfirmoi se Andic gjeti vdekjen në një aksident në shpellat Salnitre de Collbató.
Gjithë dashurinë dhe njohjen time për punën tuaj të shkëlqyer dhe vizionin e biznesit, i cili e ka kthyer këtë kompani spanjolle në një lider botëror në modë, theksoi Sanchez.
Presidenti i qeverisë së Katalonjës, Salvador Illa Roca, u shpreh i tronditur nga vdekja e manjatit, të cilin e përshkroi si një biznesmen të përkushtuar.
Isak Andic kontribuoi për ta bërë Katalonjën të madhe dhe për ta projektuar në botë.
Pikërisht në rajonin verilindor të Katalonjës në Spanjë u zhvendos familja e tij në vitet 1960 pasi emigroi nga Turqia. Në kompani nuk ishte drejtues ekzekutiv kohët e fundit. Vlerësohet se “Mango” ka patur një xhiro vjetore prej 3,1 miliardë eurosh vitin e kaluar.
Andic konsiderohej në rivalitet me themeluesin e “Zara”-s, Amancio Ortega, një tjetër miliarder spanjoll i botës së modës. Në Britaninë e Madhe, popullariteti i “Mangos” u rrit në vitin 2011 kur modelja britanike Kate Moss u shpall si imazhi i kompanisë.
