Vdekja e themeluesit të markës së njohur të modës Mango, Isak Andic, vazhdon të mbetet një mister edhe më shumë se një vit pas ngjarjes.
Biznesmeni u gjet i vdekur në dhjetor të vitit 2024 në moshën 71-vjeçare, pasi kishte rënë nga një shkëmb gjatë një ngjitjeje në malin Montserrat, pranë Barcelona.
Në momentin e ngjarjes ai ndodhej me djalin e tij të madh, Jonathan Andic, atëherë 43 vjeç. Fillimisht policia katalanase Mossos d’Esquadra e cilësoi rastin si një aksident, një version që u përdor edhe në deklaratën zyrtare të kompanisë Mango. Megjithatë, disa hetues nuk ishin plotësisht të bindur për këtë përfundim.
Në marrjen e parë në pyetje, Jonathan Andic deklaroi se po ecte disa metra përpara të atit kur dëgjoi një zhurmë të çuditshme. Kur u kthye, sipas tij, pa babanë duke rrëshqitur dhe duke rënë nga shkëmbi. Për shkak të mungesës së provave, çështja u mbyll përkohësisht.
Por në mars 2025, hetimi u rihap pasi një gjyqtar tjetër mori në dorë çështjen dhe policia kishte vazhduar të mbledhë prova. Gjatë një marrjeje të dytë në pyetje, hetuesit gjetën disa kontradikta në dëshminë e tij, ndërsa më vonë sekuestruan edhe telefonin celular për analizë.
Mediat spanjolle e përshkruan atë si një “të dyshuar të mundshëm” në hetimin për vrasje.
Sipas një reportazhi të publikuar nga New York Magazine në rubrikën The Cut, rasti ka marrë përmasa që i ngjajnë një historie të stilit të serialit Succession, për shkak të përzierjes së pushtetit, familjes dhe pasurisë së madhe.
Isak Andic, nga një emigrant në themelues të një perandorie mode!
Isak Andic ishte një sipërmarrës që ndërtoi gjithçka nga e para. Ai emigroi nga Istanbul në Barcelona në vitin 1968 së bashku me familjen.
Fillimisht ai nisi të merrej me tregti duke shitur bluza të qëndisura nga Turqia, ndërsa më vonë hapi një dyqan të vogël në qendër të qytetit ku shiste këmisha pambuku, xhinse dhe produkte artizanale.
Në vitin 1984 u hap dyqani i parë Mango në rrugën e famshme Passeig de Gràcia.
Kompania u zgjerua me shpejtësi dhe deri në vitin 1992 kishte mbi 100 dyqane. Më vonë ajo nisi zgjerimin ndërkombëtar dhe bashkëpunoi me supermodele të njohura si Claudia Schiffer, Naomi Campbell dhe Kate Moss.
Një nga momentet kulmore të zgjerimit ishte edhe hapja e një dyqani kryesor në New York City në vitin 2022.
Marrëdhënia e komplikuar me djalin?
Isak Andic kishte tre fëmijë nga martesa me ish-bashkëshorten Neus Raig Tarragó: Jonathan Andic, Judith Andic dhe Sarah Andic.
Për shumë vite, Jonathan Andic konsiderohej pasardhësi i mundshëm i perandorisë Mango. Ai krijoi linjën Mango Man dhe mori përkohësisht drejtimin e biznesit.
Megjithatë, rezultatet nuk ishin të suksesshme dhe fitimet e kompanisë ranë ndjeshëm. Pas kësaj, themeluesi riktheu kontrollin dhe më vonë emëroi drejtuesin Toni Ruiz si CEO, i cili mori zyrtarisht këtë rol në vitin 2020.
Jonathan u kritikua shpesh nga media për stilin e tij luksoz të jetesës, i cili shfaqej në rrjetet sociale nga bashkëshortja e tij, influencuesja spanjolle Paula Nata.
Pas vdekjes së Isak Andic, djali i tij u tërhoq nga disa role në kompani dhe nga jeta publike.
Në testamentin e biznesmenit, gjysma e pasurisë iu la partneres së tij prej shtatë vitesh, Estefania Knuth, ndërsa gjysma tjetër u nda në mënyrë të barabartë mes tre fëmijëve.
Megjithatë, disa detaje vazhdojnë të ngrenë dyshime për hetuesit. Raportohet se Jonathan Andic kishte vizituar shtegun ku ndodhi aksidenti disa ditë para ngjarjes, ndërsa psikoterapisti i tij refuzoi të dëshmonte duke përmendur konfidencialitetin profesional.
Pavarësisht spekulimeve, hetimi mbetet i hapur dhe mund të zgjasë për një kohë të gjatë.
Gazetarja e kronikës policore Maya Navarro e përshkroi situatën me një fjali të vetme:
Ky është një nga rastet më komplekse që policia katalanase ka hetuar ndonjëherë.
Për momentin, vdekja e themeluesit të Mango mbetet një mister që ende pret një përgjigje përfundimtare.