Vetëm një vend europian arriti të hynte në dhjetëshen e parë të renditjes globale për ekspatët, persona që jetojnë dhe/ose punojnë jashtë vendit të tyre të origjinës për një periudhë të gjatë në vitin 2025, ndërsa gjashtë të tjera përfunduan në dhjetëshen e fundit.
Çdo vit, InterNations, komuniteti global i atyre që jetojnë dhe punojnë jashtë, realizon një sondazh të gjerë mbi përvojën e rezidentëve të huaj. Dhjetëra mijëra të anketuar vlerësojnë lehtësinë e integrimit, mundësitë për punë dhe cilësinë e jetës në dhjetëra vende.
Në vitet e fundit, vende të njohura europiane si Italia, Franca, Gjermania dhe Malta kanë zbritur ndjeshëm në renditje. Edhe këtë vit tabloja është e ngjashme: vetëm Spanja u fut në dhjetëshen e parë, ndërsa shumica e vendeve të tjera europiane ranë në fund.
Spanja u rendit në vendin e nëntë, kryesisht falë cilësisë së jetës, ku doli e para ndër 46 vende të sondazhuara. Klima, kultura, jeta e natës dhe mundësitë për aktivitete sportive janë ndër arsyet kryesore. Katër në pesë të huaj vlerësuan shërbimin shëndetësor si cilësor, të përballueshëm e të aksesueshëm, ndërsa transporti publik mori nota të larta për koston dhe lehtësinë e përdorimit.
Megjithatë, Spanja renditet dobët për karrierën: vetëm në vendin e 34-rt për perspektiva profesionale, si dhe mesatare për paga dhe siguri pune. Në indeksin e domosdoshmërive për ekspatët, vendi u rendit i 26-ti për burokracinë dhe përballueshmërinë e strehimit.
Gjysma e dhjetëshes së parë dominohet nga Azia. Kina (6) dhe Malajzia (10) u futën për herë të parë në top 10, duke iu bashkuar Tajlandës (4), Vietnamit (5) e Indonezisë (8).
Për të gjitha këto vende, një pikë e fortë janë financat personale: ekspatët raportojnë kënaqësi të lartë dhe strehim të përballueshëm. Ndërsa cilësia e jetës varion, nga vendi i 6-të i Kinës deri në të 40-in të Indonezisë, niveli i përgjithshëm i lumturisë është mes më të lartëve globalisht.
Tre vendet e para të renditjes i zunë Panamaja, Kolumbia dhe Meksika.
Ato dallohen për kulturën miqësore, jetën sociale plot gjallëri dhe lehtësinë e integrimit. Janë gjithashtu destinacione të preferuara për pensionistët: mbi 25% e ekspatëve që jetojnë atje janë të dalë në pension, kundrejt 11% mesatarisht në nivel global.
Europa në krizë
Më shumë se gjysma e dhjetëshes së fundit janë vende europiane: Italia (37), Suedia (38), Norvegjia (39), Britania e Madhe (41), Gjermania (42) dhe Finlanda (43). Pakënaqësia e ekspatëve lidhet me vështirësitë e integrimit, burokracinë e rëndë dhe kostot e larta. Ndërsa vendet nordike vlerësohen për mjedisin dhe klimën, ato marrin nota të ulëta për mikpritjen dhe lehtësinë e shpërnguljes.
Në Itali dhe Gjermani, jeta dixhitale dhe administrata shihen si pengesa kryesore, ndërsa në Britani problemet më të mëdha lidhen me financat personale, strehimin dhe shëndetësinë.
Në fund të listës globale janë Koreja e Jugut (44), Turqia (45) dhe Kuvajti (46), ku ekspatët bien dakord se tregu i punës është i vështirë dhe kultura e punës dekurajuese. / shqip.al