Aktualitet

Vështirësitë ekonomike, Shoqata e Biznesit: “Hiqni orën policore!”

Shoqata e Biznesit rikërkon të hiqet ora policore pasi kufizimet aktuale në kuadër të masave anti-COVID po ndikojnë negativisht sidomos në ecurinë e lokaleve që janë ndër më të goditurit nga pasojat e pandemisë.

Shoqata ka këtë kërkesë për Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Komitetin Teknik të Ekspertëve:

E nderuar Znj.Ministre Ogerta Manastirliu dhe përfaqësues të Komitetit Teknik të Ekspertëve, referuar masave në fuqi të VKM dhe Komitetit Teknik të Ekpertëve në kuadër të pandemisë së COVID-19, kërkojmë lehtësira nga Ju, pasi ne si biznese po përballemi me vështirësi ekonomike!

Ora policore ende në fuqi, na privon nga aktivitetet që ne si biznese (lokale) zhvillojmë; (dasma, gëzime familjare e cermoni të tjera), duke na ushtruar presion të vazhdueshëm dhe nuk na lejojnë të zhvillojmë normalisht aktivitetin tonë ekonomik, brenda orarit të lejuar nga institucionet, çka na vështirëson së tepërmi ekonominë, gjë e cila reflektohet edhe te të ardhurat familjare të çdo drejtuesi biznesi.

Për këtë arsye, kërkojmë të rishikohen masat në fuqi, duke patur parasysh edhe numrin e ulët të rasteve me infektime nga COVID-19, sikurse edhe vdekshmërinë.

Goditja që kemi marrë nga një vit mbylljeje për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe orës policore ende në fuqi do të na e vështirësojë akoma edhe më shumë ekonominë e financat, duke na çuar drejt falimentit.

Shoqata e Biznesit bën edhe një paralajmërim:

Eshtë e udhës të gjendet zgjidhje dhe reagim sa më i shpejtë nga ana juaj, në te kundërt edhe ne referuar rregullave e ligjeve në fuqi do të reagojmë!