Rajoni

Vetëvendosja e para në zgjedhjet në Kosovë, por nuk mbaron këtu!

Rezultatet paraprake për zgjedhjet parlamentare në Kosovë krijojnë paqartësi mbi përbërjen e re në Kuvend, si edhe të ekzekutivit të ri. Ndërsa vijon numërimi i votave, Lëvizja Vetëvendosje është partia me numrin më të madh të tyre. Me mbi 41%, kjo forcë politike nuk ka arritur të përsërisë suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur mori më tepër se 50%. E dyta është PDK-ja e ndjekur nga LDK-ja dhe më pas AAK-ja.

Rezultati aktual paraprak krijon situatë të paqartë lidhur me shpërndarjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës për secilin subjekt politik. Duket se ndonëse fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund të qeverisë e vetme, siç ndodhi në mandatin e kaluar, të fituar 4 vjet më parë. Analistët shprehen se nëse partia e kryeministrit Albin Kurti e bën qeverinë me pakicat, nuk do të ishte e qëndrueshme. Kjo vlen edhe nëse partitë opozitare bashkohen dhe tentojnë të bëjnë ekzekutivin.

Gjatë fushatës zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje pati përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me partitë opozitare aktuale. Një koalicion me Vetëvendosjen e kanë përjashtuar edhe dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas rezultateve paraprake është e dyta, nuk ka vënë “vija të kuqe” për asnjë subjekt politik për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve.

Në kohën kur po priteshin rezultatet e para nga pjesëmarrja në zgjedhje dhe numërimi i fletëvotimeve me rezultatet e partive politike, hyrja në faqjen e internetit të KQZ-së, nuk ishte e mundur disa herë. Në zgjedhjet e një dite më parë, për përbërjen e re parlamentare garuan 28 subjekte politike, si dhe një kandidat i pavarur.

Të drejtën për të votuar në parlamentaret e djeshme në Kosovë e kishin 1 milion e 970 mijë e 944 persona. Morën pjesë rreth 40% e tyre. Pjesëmarrja në votim shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021 kur votuan mbi 48% e personave me të drejtë vote. Për herë të parë, dje kanë votuar 125 mijë zgjedhës të rinj.