Bota

VIDEO/89-vjeçarja del nga dritarja e katit të 27-të dhe qëndron e varur në lartësi!

Një ngjarje që ka tronditur opinionin publik është regjistruar në Pekin, ku një grua 89-vjeçare është parë e varur në anën e një pallati shumëkatësh, në një lartësi rreth 160 metra mbi tokë. Sipas raportimeve, e moshuara kishte mbetur e bllokuar në banjë dhe nuk kishte me vete telefonin për të kërkuar ndihmë, çka e shtyu të ndërmerrte një veprim ekstrem.

Ajo doli nga dritarja dhe nisi të zbriste përgjatë strukturave të jashtme të ndërtesës, duke përdorur elementë të improvizuar si mbështetje. Ngjarja u vu re nga një punonjës dhe një roje sigurie, të cilët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës, ndërsa gruaja vazhdonte zbritjen në kushte shumë të rrezikshme.

Pas disa kateve, ajo u lodh dhe mbeti e bllokuar në një lartësi të madhe, duke rrezikuar seriozisht jetën. Ekipet e urgjencës mjekësore dhe zjarrfikësit ndërhynë në kohë, duke e siguruar me litarë dhe duke krijuar një korridor të improvizuar për ta futur sërish brenda ndërtesës. Fatmirësisht, gruaja u shpëtua pa lëndime, ndërsa familjarët e saj falënderuan ekipet për reagimin e shpejtë që shmangu një tragjedi të sigurt.