Shqipëria ka shkruar histori në Leskovc, duke mposhtur Serbinë me rezultatin 0–1, në një ndeshje të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.
Përballja e zjarrtë dhe me shumë tension përfundoi me një fitore të madhe për kuqezinjtë, falë një goli të shënuar nga Rey Manaj në minutat shtesë të pjesës së parë, pas një pasimi perfekt nga Arlind Ajeti.
Pas vërshëllimës finale, atmosfera në dhomat e zhveshjes ishte elektrizuese. Lojtarët shpërthyen në festë, teksa nuk munguan këngët patriotike dhe emocionet e forta. Ishte vetë Manaj që ndau një video të shkurtër në rrjete sociale, ku shihen futbollistët duke festuar me entuziazëm këtë fitore historike.
Në një deklaratë për DigitAlb, sulmuesi shqiptar tha:
Besoj se sot është një nga ditët më të bukura të jetës sime se pas ndeshjes ndaj Serbisë disa komente nuk i meritoja, se kemi mbas familje, motër, prindër, duhet t’i harrojmë, se sot gjithë Shqipëria, Kosova, janë krenar për ndeshjes e kemi lënë shpitin në fushë. Kemi edhe dy ndeshje të tjera, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të bëjmë më të mirën për të shkuar në Botëror.
Isha shumë i lodhur dhe në pjesë të parë mora goditje te gjuri, me çau me taka hekuri, në vendin tim u fut edhe Daku, i kam veshur bluzën dhe ju bën të fala, edhe ai meritonte nga fillimi, si të gjithë që nuk kanë luajtur, nuk ka rëndësi kush ishte në fushë, rëndësi ka që fitoi Shqipëria sot.