Tech

Video/Roboti që ecën me duar dhe godet me grushte!

Kompania kineze Unitree Robotics ka prezantuar zyrtarisht një model të një roboti humanoid me markën R1, i cili kushton nga 5,056 euro. R1 promovohet nën sloganin “i lindur për sport” dhe videoja e tregon atë duke ecur me duar, duke goditur me grushte, duke u shtrirë dhe duke u ngritur në këmbë. Roboti është 121 centimetra i gjatë dhe peshon 25 kilogramë.

Kompania Unitree nuk zbuloi detaje të tjera. Ndërkaq, kompania amerikane Tesla ka zhvilluar një robot të quajtur Optimus, i cili ende nuk është i disponueshëm komercialisht. Në Pekin, robotët humanoid luajtën një ndeshje futbolli 3 me 3, duke ofruar një pamje të së ardhmes së robotikës me Al. Robotët shkelmonin, pengoheshin dhe herë pas here kishin nevojë për barela gjatë lojës. Bëhet e ditur se katër ekipe u përballën në ndeshjen e parë të futbollit plotësisht autonom të robotëve në Kinë, përpara Lojërave Botërore të Robotëve Humanoid që do të zhvillohen në gusht.