Prej kohësh mbetjet urbane të Vlorës vijojnë të digjen duke krijuar probleme në shëndetin e banorëve. Si në sezonin veror, edhe tani në dimër, djegia e tyre vijon të sjellë shqetësime, madje edhe për turistët që kanë prenotuar, por gjithashtu për emigrantët që ndodhen në qytetin bregdetar jugor për të kaluar pushimet.
Reja e tymit nuk përfshin vetëm fushën e mbetjeve, por përhapet në të gjithë qytetin e Vlorës. Zjarrfikësit shkojnë çdo ditë atje pasi vatrat janë aktive dhe zgjidhja e vetme është largimi i këtyre mbetjeve e depozitimi në landfillin e fshatit Sherisht, që së shpejti pritet të jetë funksional.
Si të mos mjaftojë djegia e mbeturinave, në afërsi të ish-uzinës së Sodës po në Vlorë, një grua i vendosi zjarrin disa gomave të makinave duke krijuar një re tymi të zi. Me marrjen e njoftimit, zjarrfikësit ndërhynë duke lokalizuar dhe shuar flakët. Ndërkaq, policia mori në pyetje autoren e dyshuar.