Bota

Viktima në sulmin “më të fuqishëm” të Rusisë në Harkiv!

Rusia kreu sulme masive në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Qytetarët thanë se ky ishte sulmi më i fuqishëm që prej nisjes së luftës së Moskës në tokën ukrainase, në shkurt të vitit 2022. Si pasojë e goditjeve mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën 22 të tjerë, referuar kryebashkiakut Ihor Terekhov e autoriteteve rajonale.

Sulmi nisi që në orët e para të 7 qershorit. Banorët raportuan për valë shpërthimesh dhe forcat ruse vazhdimisht hidhnin raketa e dronë. Po ashtu, Terekhov foli për “ofensivën më të fuqishme prej nisjes së luftës”, duke u shënjestruar godina banimi, institucione arsimore e pjesë infrastrukture kritike.

Forca ajrore e Ukrainës njoftoi se Rusia nisi 215 dronë dhe raketa. 174 prej tyre u rrëzuan apo u neutralizuan. Harkivi gjendet vetëm pak kilometra larg kufirit rus dhe është përballur me bombardime të ashpra përgjatë konfliktit të nisur tre vjet më parë.

Ky përshkallëzim vjen në kohën kur po zhvillohen negociata për armëpushim dhe pas një operacioni ukrainas me dronë që ka dëmtuar asete ushtarake ruse, përfshirë avionë ushtarakë në thellësi të territorit rus, duke krijuar një situatë që ka vënë në vështirësi Kremlinin.

Përgjatë një konference për media të dy ditëve më parë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump e krahasoi luftën në Ukrainë me përplasjet mes fëmijëve.

Ndonjëherë shihni dy fëmijë të vegjël duke luftuar si të çmendur, që urrejnë njëri-tjetrin dhe po luftojnë në park. Ndonjëherë është më mirë që t’i lejojmë që të luftojnë edhe për një kohë e më pas t’i ndalim, vuri në dukje Trump.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e kundërshtoi analogjinë e homologut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne nuk jemi fëmijë me Putinin në hapësirën e një parku. Ai është një vrasës që ka ardhur në park për të vrarë fëmijë, theksoi Zelensky në një intervistë.