Film & Tv Magazine

Vintage. “Memento” filmi i parë (në Hollywood) i Christopher Nolan, i mirë, pa pretendime.

E ndërsa çdo ditë dalin artikuj për sipërmarrjen e re të regjisorit fitues të çmimit Oscar me “Oppenheimer”; “Odiseja” e Homerit, thuhet se filmi do të jetë më i kushtueshëm i karrierës së tij të shkëlqyer deri më tani – me një shifër që do i kalojë të 250$ milionët, pak fare më shumë se “The Dark Knight Rises” dhe më shumë se dyfishi i “Oppenheimer”; filmi i tij i dytë i anglezit Nolan, që mbush 25 vjeç këtë vit, është ai që ka kushtuar më pak nga të gjithë por që ngelet i mirë pavarësisht mungesës së pretendimeve.

Një film i mirë mund të jetë i tillë prej gjenialitetit më shumë sesa prej parave të hedhura në të, dhe edhe pse filmat e Nolan kanë gjithmonë pak gjenialitet brenda – “Memento” është një ide e vockël por një gjetje e mrekullueshme.

Filmi me të cilin regjisori i mirënjohur debutoi – “Following” edhe pse me yçklat e një fillestari është absolutisht një trill që të ngel në mendje, si shumica e filmave të tij. I dyti “Memento” është vazhdim i asaj që ai tregon tek Following. Për vizitën e tij të parë në Hollywood ai armatoset me talentin e Guy Pearce dhe Carrie-Anne Moss. Britaniku, (së fundmi Sir) Nolan është një prej talenteve më të mëdha që vendi ka prodhuar në dekadat e fundit, por shprehja e tij natyrale në film është gjuha amerikane e artit të shtatë. 112 minuta të cilat të mbajnë shqisat e zgjuara dhe qëndrimin në ankth për të kuptuar çfarë dreqin po ndodh.

“Memento” është një thriller kompleks mbi kohën, kujtesën dhe identitetin. Pearce vesh kostumin e Leonard Shelby-n, një djalë që zgjohet çdo mëngjes pa e ditur se kush është, ku është apo pse? Kjo për shkak të një aksidenti të shkaktuar nga dikush. Leonard ka një mision, një të vetëm, të gjejë atë që përdhunoi dhe vrau gruan e tij, diçka që ja thotë kujtdo që takon, dhe ka dëshirë për të dëgjuar edhe pse mund të jetë një histori që ata e kanë dëgjuar me dhjetra herë. Kujtesa e tij afatshkurtër është dëmtuar – ajo afatgjatë, jo. Ai, deri në pikën e aksidentit kujton gjithçka (ose ashtu duket), por e ka të pamundur të krijoje kujtime të reja. Për këtë ka krijuar një sistem që i duket [vetëm atij] perfekt. Një sistem që përfshin foto të çastit, dhe tatuazhe në trup.

Sidoqoftë çdo gjë në jetën e tij zgjat vetëm 15 minuta, pas së cilave çdo gjë nis nga e para. “Si mund të ndjej diçka, kur nuk arrij dot të ndjej kohën” – është një nga fjalitë më të forta të personazhit. Nolan ndërton një thriller epik, duke e treguar historinë në një mënyrë krejt origjinale e të papritur. Struktura e përdorur prej tij i jep filmit një ndjesi ankthi të vazhdueshme edhe pse filmi mund të perceptohet si i vogël.

Saktësia e një ekuacioni matematikor në ekzekutimin e një ideje briliante të regjisorit të ‘peshave të rënda’ gërshetuar me interpretime të jashtëzakonshme të aktorëve kryesorë dhe mbështetës e bën “Memento” një moment thelbësor në historinë botërore kinematografike.

“Ideja është gjëja më ngjitëse, më e fuqishme” – do shkruante Nolan vite më vonë për “Inception”. Ama një ide nuk do ishte asgjë nëse nuk do të ekzekutohej. Nga e thëna në të bërë është një det i tërë thonë të moçmit tanë. Kjo mund të vlejë për gjithçka përveçse për këtë vepër briliante që ja vlen ti kthehesh sa herë ke dëshirë – e mbi të gjitha kohë!