Moti i keq, me reshje shiu intensive ka ndikuar në rritjen e nivelit të lumit të Vjosës, ku për pasojë në Novoselë, në zonën e quajtur Bishti i Malit, lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur 11 banesa. Prefekti Falmur Mamaj bëri me dije se banorët e shtëpive janë evakuuar nga zona, ndërsa situata vijon të paraqitet alarmante.
Bëhet me dije se niveli i ujit rreth orës 02:00 ka arritur në 8 m mbi nivelin e detit, nga 7.6 që ishte rreth orës 23:00 të një dite më parë.
Si pasojë e prurjes gjatë gjithë natës, diga e urës së Mifolit është çarë dhe uji po rrjedh në pjesën e poshtme të saj, duke rrezikuar edhe banesat pranë bregut të lumit.
Nëse kushtet atmosferike do të vijojnë me reshje të dendura shiu, pritet që uji të shkojë në 8.2 metra mbi nivelin e ujit.
Si pasojë e daljes së lumit Vjosë nga shtrati, shtëpitë në Bashkinë e Selenicës dhe disa banesa në fshatin Fitore janë zhytur nën ujë.