Sport

Vlahoviç rikthehet në qendër të projektit, Igor Tudor kërkon që serbi të marrë mbi “supe” Juventusin

Aventura e tretë e Igor Tudor te Juventusi ka nisur nën shenjën e numrit nëntë. Nëntë janë ndeshjet që mbeten deri në fund të kampionatit dhe që trajneri kroat do të duhet t’i optimizojë për ta mbyllur sezonin në vendin e katërt, objektivi minimal i vendosur nga klubi dhe për të cilin u thirr për të zëvendësuar Tiago Motën që u shkarkua. Nëntë është gjithashtu numri që Dushan Vlahoviç mban në shpinë, sulmuesi i cili fillimisht u injorua dhe pastaj u la jashtë formacionit të Motës, por që trajneri i ri dëshiron ta ringjallë. Të njëjtin lojtar që në vitin 2022 e shpalli si më të mirin e Serinë A. Do të jetë lëvizja e parë për t’i dhënë një shtysë skuadrës, por jo e vetmja. Tudori do të nisë gjithashtu nga koncepte të thjeshta, por esenciale, soliditet në mbrojtje dhe konkretësi në fazën sulmuese.

“Osimhen? Jo, për mua sulmuesi më i fortë i kampionatit është Vlahoviç”, theksoi Tudor gjatë një konference shtypi kur ishte trajner i Veronës. Kush e di nëse Dushan i ka dëgjuar këto fjalë dhe nëse për t’u paraqitur sa më mirë para trajnerit të ri ka zgjedhur pikërisht ditën e njoftimit zyrtar për të rifilluar të shënojë me Serbinë, dy vjet pas herës së fundit. DV9 ka filluar të buzëqeshë përsëri dhe dje u paraqit në Kontinasa me një fytyrë më pak të shqetësuar, duke ditur se do të ketë më shumë mundësi të luajë nga fillimi. Mota përdorte vetëm një sulmues dhe kishte zgjedhur Randal Kolo Muani, i cili erdhi gjatë merkatos së janarit nga PSG, duke e lënë Vlahoviçin në rolin e zëvendësuesit. Tudor, përkundrazi, do të provojë t’i përdorë të dy, qoftë njëri afër tjetrit, ose me francezin në rolin e trekuartistit. Nuk ka rëndësi shumë, qëllimi është të shënohet më shumë dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i sulmit.

LEXO EDHE: Edhe Igli Tare në garë, mediat italiane zbulojnë emrin e drejtorit të ri sportiv të Milanit

Tudor do të nisë nga mbrojtja me tre dhe soliditeti në mbrojtje, që ishte pikërisht ajo që klubi kërkoi nga Mota në periudhën e fundit. Deri te disfata e rëndë kundër Atalantës, “Zonja” kishte mbrojtjen më të mirë të kampionatit dhe duhet patjetër të rikthejë ekuilibrin. Në karrierën e tij, Tudor ka përdorur si modulin 3-4-2-1 ashtu edhe 3-4-1-2, sisteme loje që mund të aplikohen të dyja te Juventusi, në varësi të lojtarëve dhe situatave. Me Motën, Vlahoviç dhe Kolo Muani luajtën së bashku vetëm një herë nga fillimi, kundër Empolit në Kupën e Italisë, dhe nuk përfundoi mirë. Humbje e rëndë në shtëpi, më shumë se një disfatë ishte një humbje e turpshme, dhe eliminim në çerekfinale me një penallti të gjuajtur drejt tribunës nga numri nëntë. Që nga ajo kohë, Dushan ka luajtur vetëm 23 minuta dhe kundër Fiorentinës ka qëndruar i ulur në stol gjithë ndeshjen. Skuadra ka nevojë për golat e tij për të mos humbur objektivin Champions.

Tudor mund të vendosë Vlahoviçin me Kolo Muaninë dhe Jildizin pas tij, ose francezin si sulmues të dytë. Pas shpinës së sulmuesit kryesor, përveç Jildiz, mund të përdorë edhe Teun Kopmeinersin, një tjetër lojtar që duhet rigjallëruar. Për Vlahoviçin muajt e fundit kanë qenë shumë të vështirë. Marrëdhënia me Motën ishte në nivele historikisht të ulëta dhe në sfond qëndron pasiguria e të ardhmes. Sulmuesi ka një kontratë deri në vitin 2026 me një pagë prej 10.5 milionë euro në sezon (12 nga viti i ardhshëm) dhe nuk ka ndërmend ta rinovojë. Kontaktet me agjentin, Darko Ristiç, janë ndërprerë dhe takimi mes tij dhe Xhuntolit, i parashikuar në mars, nuk u realizua.