Aktualitet Politikë

Vlerësimi i Dumanit nga DASH, Berisha: Ishte autori i grushtit të shtetit që Blinken ndërmori kundër opozitës!

Sali Berisha vazhdon sulmet ndaj dhe Altin Dumanit, i cili pak ditë më parë u shpall kampion i luftës kundër korrupsionit nga Departamenti amerikan i Shtetit që aktualisht drejtohet nga sekretari Antony Blinken. Në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarë, kryetari demokrat dha arsyen sipas tij të këtij vendimi, duke e konsideruar Dumanin “autor të grushtit të shtetit që ndërmori vetë Blinken kundër opozitës shqiptare”.

Kreu i një organizate kriminale, që unë shumë shpejt do të nxjerr dokumentet këtu, merr në dorë për të verifikuar të tjerët, në një kohë kur ai për veprimtarinë e tij duhet të jetë në qeli. Ai fle mbi krimin, fsheh krimin. Ai është pronari i tre shtëpive me rrogë shteti, që të garantoj se nuk ka qytetar shqiptar që ka punuar në shtet me ndershmëri, nga president republike e poshtë, që mund të blejë jo tre, por asnjë banesë të vetme pa kredi.

Unë që po flas këtu, e shita atë që kisha, e cila ishte nja 40 metra më e vogël se kjo që mora. Pra unë bleva 40 metra. Antony Blinken e shpalli kampion se ishte autor i grushtit të shtetit që ndërmori vetë zoti Blinken kundër opozitës shqiptare. Dhe unë këtë e kam thënë me kohë e nuk ka asgjë të re.

Ajo që bëri zoti Blinken dhe Xhorxh Soros ishte një grusht shteti ndaj demokracisë, ndaj opozitës shqiptare. Altin Dumani hyri në lojë me urdhër po të diplomatëve amerikanë e të Edi Ramës në një kohë kur ata dështuan me forma të tjera, me formën e gostitjes më bar të demokratëve, etj.

Kështu që ajo nuk më habit fare, madje m’u duk e vonuar. Mos harro edhe Dvoranin, është edhe Dvorani në atë listë.