Edhe Vllaznia ka reaguar duke argumentuar kërkesën e bërë nga Klubi për kryerjen e një testi fiziologjik për volejbollisten e Dinamos, Nayara Ferreira, duke u shprehur se qëllimi është tërësisht sportiv dhe mjekësor.
“Qëllimi i kërkesës sonë drejtuar Federatës Shqiptare të Volejbollit, ka qenë dhe mbetet plotësisht sportiv dhe mjekësor”, thekson Klubi.
Gjithashtu theksoi se kërkesa nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me gjininë biologjike apo identitetin personal të sportistes. Në reagimin e Vllaznisë theksohet se çdo interpretim në këtë drejtim është i gabuar dhe nuk përkon me frymën sportive të klubit, “i cili gjithmonë ka respektuar dinjitetin dhe barazinë e çdo sportisti apo sportisteje”.
“Klubi Vllaznia solidarizohet plotësisht me volejbollisten Nayra Ferreira dhe dënojmë me forcë sulmet dhe denigrimet personale që mund të ketë patur në media apo rrjete sociale. Kujtojmë se në Shkodër janë zhvilluar lëvizjet e para për të drejtat e grave e vajzave në vend, janë krijuar ekipet e para sportive të vajzave si dhe Shkodra ka qenë dhe është qyteti i emancipimit dhe respektimit të të drejtave sidomos për gratë dhe vajzat. Ndaj klubi Vllaznia nuk mund të shkelë mbi historinë, traditat, vetveten dhe identitetin e qytetit”, thuhet në reagim.
Ndërsa Klubi i bëri thirrje Federatës Shqiptare të Volejbollit që të bëjë transparencë të plotë lidhur me çështjen dhe sipas tyre, me kërkesën zyrtare të klubit Vllaznia që nuk lidhet me gjininë biologjike por një vlerësim të përgjithshëm funksional mjekësor.
“Po ashtu kërkojmë nga Federata që sa më shpejt të jetë e mundur të ketë një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën tonë për të sqaruar vetë lojtaren Ferreira, klubet sportive dhe opinionin publik dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të qëllimshëm apo jo si dhe çdo situatë të tensionuar që mund të jetë krijuar në mënyrë të padrejtë për të gjitha palët e përfshira”, përfundon reagimin klubi kuqeblu.