Aktualitet Zgjedhjet 2025

Votimi nga diaspora, 62% e zarfave në KQZ/Afat deri sot për tërheqjen e tyre!

Deri dje, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë mbërritur 153,277 zarfe me fletë votimi të dërguara nga votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke përfaqësuar 62% të totalit prej 245,935 zarfeve të shpërndarë. Nga totali i zarfeve të dërguara, 37% e tyre u çuan në Itali sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, 27,8% në Greqi, 10,4% në Gjermani, 8.4% në SHBA, 7% në Angli, në Francë 2.2%, etj.

Nga totali i zarfeve të mbërritura në KQZ, sipas të dhënave, 43% e tyre janë nga emigrantët që jetojnë në Itali, 18% nga Greqia, 12% nga Gjermania, 10% nga SHBA, 7% nga Anglia, etj. 23% e totalit të zarfeve të ardhura me fletët e votimit pranë KQZ-së i përkasin qarkut të Tiranës, 13% Fierit, 12% Durrësit, 9% Elbasanit, 8% Shkodrës, Vlorës e Korçës nga 7%. Për qarkun e Lezhës dhe Beratit nga 6% secila, Dibra 4%, Gjirokastra 3% dhe 2% Kukësi.

Nga të dhënat rezulton se diferenca më e thellë për zarfet e dërguara kundrejt atyre të mbërritura është në shtetin e Greqisë. Nga 68,3 mijë zarfe me fletë votimi të dërguara në këtë shtet, pranë KQZ-së kanë mbërritur 27,5 mijë apo 40% e tyre. Ndërsa në Itali nga 91,2 mijë zarfe të dërguara me fletë votimi kanë mbërritur 65,9 mijë apo 72% e tyre.

KQZ-ja ka nisur këtë proces për herë të parë në mënyrë të zgjeruar, me synimin për të përfshirë votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Votuesit kanë marrë me postë zarfin me fletën e votimit dhe udhëzimet përkatëse, të cilat duhet t’i kthejnë pranë institucionit deri në ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu sipas të dhënave zyrtare, 92% e zarfeve të dërguara janë marrë nga qytetarët, ndërsa 20,234 votues, ose rreth 8%, ende nuk i kanë marrë materialet e votimit.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi raportoi se rreth 11 mijë qytetarë nuk kanë mundur të pajisen me zarfin për shkak të pasaktësive në të dhënat e kontaktit, si adresat e banimit, email-et apo numrat e telefonit. Pjesa tjetër është kontaktuar, por nuk ka reaguar ndaj komunikimit nga shërbimet postare.

Për këta qytetarë, afati për të mundësuar marrjen e zarfeve do të jetë deri sot. Zarfat me fletën e votimit duhet të mbërrijnë deri në përfundimin e afatit të votimeve, pra të dielën ora 19:00, që të konsiderohen të vlefshme./Monitor