Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Problematika me votimin e Diasporës në Greqi, PD letër KQZ-së!

Me një kërkesë “urgjente” drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD-ja i kërkon rikthimin e ligjshmërisë në procesin e votimit të Diasporës në Greqi. Sipas PD-së, “vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, KQZ-ja njoftoi votuesit shqiptarë në Greqi, se duhet të paraqiteshin personalisht pranë pikave DHL për të tërhequr ose dorëzuar zarfin e votimit dhe se zarfi nuk do iu dorëzohej në adresën e deklaruar në PER, siç u përcaktua në fillim”. Për opozitën, kjo situatë “ka ngritur shqetësime serioze për transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit”.

PD-ja pretendon se nga Greqia ka raportime se zarfat me vota nuk po iu dorëzohen qytetarëve në dorë në banesë, por shpeshherë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare (qoftë zyrtare, qoftë nënpagesë si zyra bastesh, apo hyrje pallatesh), duke përdorur makina me qira me targa shqiptare për të shmangur gjurmët.

Këta persona, të dyshuar të lidhur me Partinë Socialiste dhe strukturat e saj, ka njoftime se mund të kenë grumbulluar zarfa me fletët e votimit, cka është totalisht e ndaluar dhe penalisht e dënueshme.

Ndërsa jemi një javë para zgjedhjeve, PD-ja kërkon të dije se si shpjegohet që një e treta e të gjithë zarfave të Greqisë vijnë në një ditë të vetme, ndërsa paraqet në shkresën e saj edhe disa shifra.

Më 4 maj 2025, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve, u raportuan nga KQZ-ja mbi 6,000 zarfe të ardhura në Tiranë nga Greqia, ndërkohë që për disa javë më parë, numri total ishte 17 mijë e 700. Si shpjegohet që një e treta e të gjithë zarfave të Greqisë vijnë në një ditë të vetme?

Ky fluks i pazakontë dhe i papritur, në kontekstin e problemeve të raportuara, përforcon dyshimet mbi integritetin e procesit, thuhet në letër.