Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Rama për votimin nga Greqia: Problematikat janë zgjidhur, zarfet janë shpërndarë!

Një javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, kryeministri Edi Rama dha një mesazh drejtuar shqiptarëve të diasporës në Greqi, ku u kërkon që të marrin zarfet e votimit e të mos humbasin atë të cilën ai e cilëson si mundësi historike për një takim me historinë.

Shqiptarëve në Greqi, të regjistruar në platformën PER dhe që kanë marrë zarfet në banesa, kryeministri Rama iu bën thirrje t’i kthejnë ato drejt Shqipërisë. Rama bëri të ditur se në nisje të procesit ka pasur problematika me shpërndarjen, kompaninë, por tanimë, siç theksoi, “gjërat janë vënë në vijë”.

Thirrje, lutje mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi, që të marrin zarfet dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike për një takim me historinë. Eshtë mundësi historike për të qenë votues për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë, por edhe një takim me historinë për të kyçur përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e madhe të BE-së.

Ka pasur një problematikë, për fat të keq, në ditët e para me shpërndarjen, kompaninë, etj, por tanimë kompania ka vënë gjërat në vijë. Zarfat janë shpërndarë nëpër destinacionet e ndryshme. Keni gjithë informacionet e nevojshme për të kuptuar se çfarë duhet të bëni dhe për të mos përtuar t’i tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes të kompanisë. Nëse i keni marrë zarfet në shtëpi të veproni duke i kthyer ato drejt Shqipërisë me numrin 5, deklaron Rama në një video të shpërndarë në rrjetin social Facebook.

Duke u ndalur te çështja e njohjes së pensioneve me Greqinë, Rama u shpreh se negociatat me qeverinë greke kanë nisur dhe se vullneti nga të dyja palët është pozitiv.

Ky votim është me një rëndësoi të veçantë sidomos për shqiptarët në Greqi, që ende nuk kanë pasaportën dhe janë futur në ankthin e padrejtë të njohjes së pensionit. Njohja e pensionit bëhet me marrëveshje, negociatat me qeverinë greke kanë nisur, nuk e dimë sa kohë mund të marrin. Vullneti ynë është i plotë, vullneti i qeverisë greke është shumë pozitiv, por duke u nisur nga eksperienca e marrëveshjes me Italinë që u deshën vite të tëra, por e deshi fati që të më dilte një motër në Romë e të përshpejtoheshin gjerat.