Aktualitet

Votimi nga jashtë për parlamentaret e 11 Majit, rreth 246 mijë kërkesa të miratuara!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar shqyrtimin e kërkesave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER), proces i cili nisi më 11 janar dhe u mbyll në datë 4 mars.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, 245 mijë e 975 zgjedhësve iu është miratuar kërkesa për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ndërsa 48 mijë e 180 votuesve (unikë) iu refuzua kërkesa. Ndërkaq, numri i zgjedhësve (unikë) që bënë kërkesë për regjistrim ishte 294 mijë e 155.

Në total ishin 365 mijë e 166 kërkesa të bëra në PER, nga të cilat pas shqyrtimit, 119 mijë e 139 u refuzuan.

Numrin më të lartë të kërkesave të miratuara e ka qarku i Tiranës me 52 mijë e 425 shtetas shqiptarë të regjistruar në PER, i ndjekur nga qarku Fier me 32 mijë e 559, më pas qarku i Elbasanit me 25 mijë e 196, qarku i Durrësit me 25 mijë e 034 dhe qarku Korçë me 20 mijë e 638 kërkesa të miratuara.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave të miratuara është nga Italia, me 91 mijë e 223, e ndjekur nga Greqia me 68 mijë e 223, Gjermania me 25 mijë e 499, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 20 mijë e 653 e Britania e Madhe me 17 mijë e 227.

Sipas gjinisë, përqindjen më të lartë të regjistruesve e kanë meshkujt, me 212 mijë e 982 kërkesa, ndërsa femrat janë 152 mijë e 184.

Brenda datës 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë listën paraprake të këtyre zgjedhësve. Emrat e tyre do të hiqen më pas nga lista e votuesve në Shqipëri.